Themeluesi dhe shefi ekzekutiv i Tesla dhe SpaceX, Elon Musk vazhdon të qëndrojë në krye të listës për sa i përket njerëzve më të pasur të botës.

Sipas Bloomberg Billionaires Index, Musk zotëron 311 miliardë dollarë pasuri, me një rritje prej 141 miliardë dollarë brenda një viti.

Debati rreth pasurisë së tij ka filluar kur shefi i Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara (WFP), David Beasley kishte thënë se një grup i vogël multimiliarderësh mund të zgjidhë çështjen e urisë në botë, me vetëm një përqindje të vogël të pasurisë, duke marrë shembull Muskun.

Dy përqindëshi i pasurisë së tij do të ishte mbi 6 miliardë dollarë.
“Gjashtë miliardë dollarë për të ndihmuar 42 milionë njerëz, që do të vdisnin nëse nuk i përkrahim. Nuk është e komplikuar”, kishte thënë Beasley, shkruan tg.

Pas këtij reagimi, Musk është shprehur se nëse 2 për qind e pasurisë do ta zgjidhte problemin e urisë në botë, atëherë ai do t’i shiste aksionet e kompanisë.

“Nëse WFP-ja mund të përshkruajë këtë temë në ‘Twitter’ saktësisht se si 6 miliardë dollarë do ta zgjidhin urinë në botë, unë do të shes aksionet e Teslas tani dhe do ta bëj”, ka reaguar Musk.

Mirëpo, vetë shefi i WFP-së është shprehur se kjo vlerë e thënë nga Musk nuk e zgjidh këtë problem, por se do të shpëtonte 42 milionë njerëz që janë në prag të mbijetesës.
“Përshkrimi nuk është i saktë. Gjashtë miliardë dollarë nuk do të zgjidhin urinë në botë, por do të parandalojnë paqëndrueshmërinë gjeopolitike, migrimin masiv dhe do të shpëtojnë 42 milionë njerëz që janë në prag të mbijetesës. Një krizë e paprecedentë dhe për shkak të COVID-19/konflikteve/ngrohjes botërore”, ka shkruar Beasley.

Pasuria e Muskut dhe vendet e Ballkanit Perëndimor
Elon Musk nga llogaritjet e fundit të Bloomberg, del të jetë njeriu më i pasur me 311 miliardë dollarë, duke lenë mbrapa rivalët e tij si Jeff Bezos nga Amazon me 195 miliardë dollarë, miliarderin e nga Franca, Bernard Arnault me 167 miliardë dollarë dhe Bill Gates me 136 miliardë dollarë.

Musk është më i pasur se tetë vendet e Ballkanit Perëndimor të marra së bashku. Nga të dhënat e Trading Economics, del se Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i këtyre vendeve është 237.29 miliardë dollarë. Nga kjo llogaritje, Bullgaria është vendi që ka PBB-në më të madhe në rajon me 69.11 miliardë dollarë apo 8,743 dollarë për banor.

Kroacia është vendi i dytë në Ballkan që ka PBB-në më të lartë për banor me 15,204 dollarë me 55.97 miliardë dollarë. Në vend të tretë është Serbia me një PBB prej 52.96 miliardë dollarësh apo 7,193 dollarë për banor.

Larg vendit të tretë është Bosnja e Hercegovina, kur Prodhimi i Brendshëm i saj është 19.79 miliardë dollarë apo 6,077 dollarë për kokë banori.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë vendet që kanë PBB të përafërt. Ku në Shqipëri, PBB për frymë është 5,064 dollarë me total prej 14.8 miliardë dollarë, ndërsa në Maqedoni të Veriut, Prodhimi i Brendshëm për frymë është 5,371 dollarë me një total prej 12.27 miliardë dollarë.

Kosova është vendi i parafundit në Ballkan që ka PBB-në e ulët. Prodhimi i Brendshëm është 7.61 miliardë dollarë apo 4,230 dollarë për banor. Kurse në vend të fundit, nga tetë vendet e llogaritura del të jetë Mali i Zi me një PBB prej 4.78 miliardë dollarë apo 7,293 dollarë për banor.

Artikulli paraprakFLET PËR HERË TË PARË AZEM HAJDARI, DJALI I VOGËL I FAMILJES SË “PISHTARIT TË DEMOKRACISË”
Artikulli tjetërBIEN NDJESHËM TESTIMET DHE RASTET E REJA ME COVID-19/, MSH JEP SHIFRAT