Përfundon mbledhja urgjente e KLD, pezullohen gjyqtarët e Apelit të Durrësit që po hetohen me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit. Gjyqtarët e pezulluar janë Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno. Pezullimi me shumicë votash në KLD pas referimit të materialit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Këta gjyqtarë kanë udhëtuar me paratë e një biznesmeni për të parë ndeshje futbolli jashtë vendit. Gjyqtarët dyshohen se janë sponsorizuar në dy udhëtime jashtë vendit nga një biznesmen durrsak, i cili ishte palë në një proces civil që po shqyrtohej prej tyre. Prokuroria dyshon se udhëtimi i gjyqtarëve në drejtim të Spanjës është bërë në shoqërinë e biznesmenit Namik Sadiku – pronari i një kompleksi turistik në Durrës – dhe është paguar prej tij. Në kohën e udhëtimit drejt Madridit, Sadiku kishte të hapur një çështje gjyqësore në Gjykatën e Apelit Durrës, ku relator ishte gjyqtari Spahiu dhe anëtarë të trupit gjykues ishin Petrit Çeno dhe Petraq Dhimitri. Më herët, dyshohet se relatori i çështjes, Kliton Spahiu dhe gjyqtari Petraq Dhimitri kishin udhëtuar në shoqërinë e Sadikut edhe në Itali. Konflikti gjyqësor lidhet me ndërtimin e hotelit 10 katësh të Sadikut në plazhin e Durrësit, në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Sadiku ishte paditur nga ish- ortaku i tij në ndërtimin e kompleksit, Oliver Ushina, prej shkurtit të vitit 2012. Tre gjyqtarët e pezulluar nga KLD Kliton Spahiu Petradh Dhimitri Petrit Çeno Njoftimi i KLD: Nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi sot, datë 09.02.2018, mbledhjen plenare, ku ndër të tjera pezulloi nga detyra tre gjyqtarë të Gjykatës së Apelit Durrës, Petrit Çeno, Kliton Spahiu dhe Petraq Dhimitri. Ky vendim erdhi pasi anëtarët e Këshillit u njohën dhe shqyrtuan informacionin e ardhur nga Drejtuesi i Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me datë 06.02.2018, ku njoftohej marrja si të pandehur të tre gjyqtarëve të sipërcituar.
Duke qenë se një nga gjyqtarët e pezulluar ushtron edhe detyrën e kryetarit të Gjykatës së Apelit Durrës, Këshilli caktoi gjyqtarin Desart Avdulaj, për të ushtruar përkohësisht detyrën e kryetarit së kësaj gjykate.