Një 38-vjeçar është arrestuar nga policia e Lushnjës, pasi dyshohej se do kryente krim të rëndë në familje, pas konfliktit me nënën e tij.
Në cilësinë e provës materiale, policia i sekuestroi 1 armë zjarri pistoletë, me silenciator dhe 43 fishekë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin E.D, 38 vjeç, banues në Dushk, Lushnjë.
Policia e Lushnjës ka marrë njoftim në rrugë operative se ky shtetas po konfliktohej me nënën e tij, në banesën e tyre, në Dushk të Lushnjës. Policia ka vlerësuar menjëherë informacionin dhe falë reagimit në kohë u bë e mundur kapja në flagrancë e tij dhe gjetja në trup e një arme zjarri pistoletë me silenciator”, sqaron policia në njoftim.
Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 43 fishekë luftarakë.
Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Lushnjë për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Dhuna në familje”.