Fundjava ka nisur duke përgjakur rrugët e Shqipërisë, ku pushimet janë kthyer në tragjedi për një familje e cila është shuar, ndërsa kanë mbetur të plagosur tre të rinj. Aksidenti tragjik ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën Fier-Vlorë, ku një makinë tip ‘Audi’ me targa AA 107 XX, me shpejtësi skëterrë mbi 150 km/h, ku udhëtonin 3 të rinj, ka përplasur mjetin tjetër tip ‘Toyota’ me targa greke, në të cilën udhëtonte një familje me 2 fëmijë të mitur, 14 dhe 9 vjeç.
Përplasja ka qenë aq e fortë sa makina ‘Toyota’ është shtypur dhe shkatërruar totalisht. Për shkak të deformimit të madh të pësuar të ‘Toytos’, prindërit dhe dy vajzat e mitura kanë mbetur të bllokuara brenda mjetit aq sa është dashur ndërhyrja e zjarrfikëses dhe përdorimi i gurit freksibël për t’i nxjerrë ato.
Trupi i parë që doli nga mjeti ‘Toyota’ ishte i vajzës më të vogël, Eva Gushi, 9 vjeçe, e cila u nxor ende e gjallë por humbi jetën pak minuta më vonë në spital. Ndërsa trupat e familjarëve të tjerë Eduart Gushi, 44 vjeç, Silvana Gushi, 33 vjeç, Anastasia Gushi, 14 vjeçe, u nxorën të pajetë.
Nga aksidenti mbetën të plagosur edhe 3 të rinjtë që udhëtonin me mjetin ‘Audi’, i cili pas përplasi ‘Toyota-ën’ është përplasur me një shtyllë elektrike duke e thyer atë dhe më pas ka përfunduar në kanalin anës rrugës. Të plagosurit janë jashtë rreziku për jetën.
Të dy mjetet po udhëtonin nga Fieri drejt Vlorës për të kaluar fundjavën në jug. Makina ‘Audi’ ka goditur nga pas mjetin ‘Toyota’, por është ende e paqartë nëse ka humbur kontrollin dhe i ka rënë apo mjeti tip ‘Toyota’ ka ndërruar korsi dhe për pasojë është marra para nga ‘Audi’. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit tragjik.