Më shumë se 40 gra nga Kosova në luftën e Sirisë e Irakut

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), në raportin e fundit të publikuar të enjten, thotë se “gratë kanë marrë pjesë në organizatat terroriste si kujdestare dhe ofruese kujdesi; kanë promovuar ideologji ekstremiste të dhunshme dhe kanë rekrutuar gra të tjera për t’u bashkuar me grupet e dhunshme ekstremiste”. Raporti i titulluar ‘Gratë në ekstremizmin e dhunshëm, mësimet e nxjerra nga Kosova’, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë konstaton se që nga fillimi i konfliktit në Siri dhe Irak, mes vitit 2012 dhe fillimit të vitit 2016, rreth 44 gra janë përfshirë në konflikt, dhe në mesin e tyre edhe 27 fëmijë. QKSS-ja thotë se “Policia e Kosovës ka njoftuar për vetëm 7 gra të kthyera në Kosovë, ndërkohë që njëra prej tyre përballet me aktakuzë dhe pret dënimin”. Rudina Jakupi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, në një konferencë ku është publikuar raporti, tha se Kosova në krahasim me vendet e rajonit, zë vendin e dytë me pjesëmarrjen e grave të përfshira në zonat e luftës në Lindje të Mesme. “Kosova renditet e dyta [në rajon] për arsye se ka 44 gra që i janë bashkuar konfliktit të Sirisë dhe Irakut. Bosnja ka 60 dhe me pas vazhdohet me Maqedoninë e Shqipërinë dhe Serbinë”, tha Jakupi. Në raportin e paraqitur nga QKSS-ja, theksohet se “disa nga gratë e kthyera nga konflikti mbeten të izoluara dhe pa mbështetje nga institucionet”. Disa prej këtyre grave, sipas raportit, pasi janë kthyer në Kosovë nga vatrat e luftës, ku kanë mund ta humbin bashkëshortin, janë detyruar të martohen sërish. Autoritetet e sigurisë në Kosovë thonë se rreth 316 veta besohet se kanë marrë pjesë në konfliktet në Lindjen e Mesme, ndërsa në zonat e luftës vlerësohet se ende ndodhen 140 veta. Vesë Kelmendi nga QKSS-ja, tha po ashtu, se në Kosovës disa nga gratë që u janë bashkuar grupeve terroriste në Siri dhe Irak, janë detyruar nga bashkëshortët e tyre të përfshihen në ato gupe, por, sipas saj, ka raste kur gra kosovare, kanë përkrahur dhe vazhdojnë ta mbështesin ideologjinë e luftëtareve të IS-it. “Ne kemi dy profile të këtyre grave; gra që refuzojnë t’u bashkohen këtyre grupeve ekstreme dhe në anën tjetër gra që potencialisht u janë bashkuar grupeve ekstremiste, pastaj janë kthyer në Kosovë dhe prapë vazhdojnë ndoshta me përqafu idenë e grupeve ekstreme apo luftën në konfliktin e Sirisë dhe Irakut”, tha Kelmendi. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, njëkohësisht koordinator nacional kundër terrorizmit, tha se numri i grave të përfshira në vatrat e luftës nga informacionet zyrtare është i përafërt me ato të publikuara nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë. “Kur të flasim për shifra dhe numra duhet të kemi parasysh dy anë të medaljes, në njërën anë ato që i kemi të regjistruara, por që nuk mund ta përjashtojmë mundësinë që të ketë, qoftë gra apo burra që i janë bashkuar konflikti, që aktualisht janë në konflikt apo që edhe janë rikthyer në vendi tonë dhe eventualisht mund të jenë jashtë këtyre statistikave”, tha Hoxha. Besa Ismajli, profesoreshë në Fakultetin e Shkencave Islame në Prishtinë, tha se gratë, të cilat mund të kenë shkuar në Siri apo Irak, ato nuk kanë pasur njohuritë e mjaftueshme për fenë. “Nga përvojat që ne kemi në kuadër të BIK-ut,[është] që njohuritë mbi fenë te këto gra janë të ulëta, ndonjëherë shumë të ulëta”, theksoi Ismajli. Në raportin e QKSS-së thuhet se gratë ose nënat e luftëtarëve të huaj janë të margjinalizuara nga shoqëria në Kosovë. QKSS-ja ka rekomanduar për institucionet dhe organizatat joqeveritare që të bashkëpunojnë në mënyrë që këtë kategori, ta integrojnë në shoqëri. Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës [RrGGK], që punon për dhe me gratë në përgjithësi, tha në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, se si rrjet nuk i dallon, por edhe nuk kanë programe të veçanta për gratë që janë apo që kanë qenë të përfshira në ekstremizëm të dhunshëm. “RrGGK-ja është një rrjet prej 114 organizatash që punojnë me çështje të ndryshme të ndërlidhura me barazinë gjinore dhe me çështjet e grave dhe janë në kontakt të drejtpërdrejtë me gratë gjithandej vendit. Potencialisht, gratë për të cilat ju jeni interesuar, janë të lira t’i kontaktojnë këto organizata dhe të ngrisin shqetësimet e tyre apo të kërkojnë ndihmë”, thuhet në përgjigjen e RrGGK-së. Besohet se 117 veta janë kthyer në Kosovë dhe deri tash 35 veta janë dënuar nga gjykatat. Kuvendi i Kosovës ka miratuar më shumë se një vit më parë ligjin që ndalon pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja dhe parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjithë ata që marrin pjesë, nxisin apo mbështesin përfshirjen në konfliktet jashtë Kosovës.

Artikulli paraprakBERISHA: SHQIPËRIA VOTË KUNDËR NË NATO, DITËN QË FITOI TRUMP
Artikulli tjetërMURI NË KUFIRIN SHBA-MEKSIKË, PRESIDENTI MEKSIKAN ANULON TAKIMIN ME TRUMP