Kryeministrja e sapozgjedhur e Britanisë së Madhe, Liz Truss ka zgjedhur që bisedën e parë me një lider të huaj ta kryejë me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski.

Lideri ukrainas përmendi sfidat me të cilat përballet zonja Truss.

“Biseda e parë e kryeministres me mua është një nder i madh për Ukrainën.

Koha kur ajo po nis detyrën është shumë e vështirë, kërcënimi energjitik rus, përpjekjet e vazhdueshme të një shteti terrorist për të destabilizuar situatën politike në Evropë, duke ruajtur unitetin dhe duke punuar në koordinim të plotë ne mund ta tejkalojmë atë,” tha ai.

Gjatë adresimit të tij të mbrëmjes Zelenski tha se e kishte ftuar krymeinistren britanike në Ukrainë ndërsa kjo e fundit e siguroi për ndihma të reja ushtarake.

“E ftova kryeministren të vizitojë vendin tonë dhe e falënderova për besimin e qartë se Ukraina do ta fitojë luftën që ka nisur Rusia.

Ne diskutuam se si të rrisim më tej presionin ndaj Rusisë, dhe në mënyrë që mbështetja mbrojtëse e shtetit tonë të rritet vazhdimisht.

Dëgjova fjalë shumë të rëndësishme për bashkëpunimin tonë, për garancitë e ardhshme të sigurisë për Ukrainën dhe për rindërtimin e shtetit tonë,” tha ai.

Britania ka qenë një aleat i vendosur i Ukrainës që kur Rusia nisi pushtimin e saj më 24 shkurt.

Londra ka shpërndarë pajisje ushtarake, financime dhe burime trajnimi për forcat e armatosura të Kievit, të cilët janë duke zhvilluar beteja në jug dhe lindje të vendit.

Artikulli paraprakÇFARË ISHTE NORMALE NË 2002, QË TANI PAS 20 VITESH NUK ËSHTË MË?
Artikulli tjetërLIJA E MAJMUNIT, SHBA VENDOS MASA TË REJA PËR TË NXITUR SHPËRNDARJEN E VAKSINAVE NË KOMUNITETET MË TË RREZIKUARA