Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka nderuar me medalje 23 ushtarakë të gradave të ndryshme dhe 3 civilë që punojnë në strukturat e Forcave të Armatosura. Medaljet në fjalë u shpërndanë me motivacione të ndryshme, që nga trimëria e deri te kontributi për arritje të veçanta.

Xhaçka teksa falënderoi ushtarakët dhe civilët për bashkëpunimin për t’i shërbyer vendit dhe komunitetit, shtoi se ata janë pasuria më e madhe në FA.

“Secili prej jush, e pa diskutim çdo efektiv i FA e punonjës i kësaj Ministrie, më keni ndihmuar për të shtyrë përpara reformat në sektorin e mbrojtjes,

për të mbështetur djemtë dhe vajzat tona në uniformë brenda dhe jashtë kufijve, për t’i ardhur në ndihmë çdo familje shqiptare në vështirësi për shkak të motit të keq apo temperaturave të larta, si institucion përgjegjës tanimë për emergjencat civile.

Ka një fakt që nuk duhet mohuar e madje duhet përsëritur me zë të lartë: sado të përpiqemi për të modernizuar Forcën të Armatosur, sado mangësi të përkohshme të kemi në punën tonë, asgjë dhe askush nuk e zëvendëson pasurinë më të madhe që Forca e Armatosur ka dhe kjo pasuri janë njerëzit e saj.”, tha ministrja.

23 ushtarakët dhe 3 civilët u nderuan me medalje të ndryshme si ajo e nderit, “për trimëri, guxim dhe kontribut të spikatur”, me medaljen e mirënjohjes për “kontributin e dalluar dhe vlerat e veçanta në shërbim në lartësimit të figurës së ushtarakut të FA,

me medaljen për shërbime të shquara për ushtarakët e “dalluar për detyra me përgjegjësi të lartë” dhe me medaljen për shërbime të larta, për punonjësit e “dalluar për arritje të veçanta në kryerjen e detyrave të ngarkuara”.

Artikulli paraprakPAS FURTUNËS NË QEVERI, RAMA MBLEDH 90′ KRYESINË PËR ORGANIZIMIN PARA ZGJEDHJEVE
Artikulli tjetërSHQIPTARI I KAPUR ME 65 KG DROGË BËHET “BILANC VJETOR” NË ITALI