Shqipëria e futbollit “vulosi” biletën për të marrë pjesë për të dytën herë në fazën finale të një Europiani, pas atij të “Francë 2016”. Barazimi 1-1 në Moldavi mbi të gjitha mban tanët në vendin e parë me 14 pikë në grupin E, teksa sfida e fundit luhet në “Air Albania” kundër Ishujve Faroe.
Kualifikimi i Shqipërisë ka bërë jehonë në mediet ndërkombëtare. Washington Post shkruan se Shqipëria kualifikohet në Euro 2024 nga një grup ku janë edhe Republika Çeke dhe Polonia pas barazimit me Moldavinë. Gazeta amerikane vë në dukej suksesin e brazilianit Sylvinho.
“Edhe Shqipëria e kualifikuar; shkojnë në 12 kombëtaret me biletën për në Europian”, shkruan Gazzetta dello sport. Ndërsa Tuttomercatoueb shkruan se kuqezinjtë gjejnë pikën e nevojshme për në Euro 2024. Ekipi merr pjesë për herë të dytë në europian, pas Francë 2016.
“Sylvinho çon Shqipërinë në europianin e dytë”, shkruan spanjollja “AS”. Ndërsa “Marca” ka titullin: “Shqipëria shkon në Europianin e dytë dhe është kombëtarja e 12 e kualifikuar”. Suksesin e Shqipërisë e vuri në dukje edhe UEFA.
Ndërkohë Reuters ka shkruar disi më gjatë, duke evidentuar se pas humbjes 1-0 në Poloni gjatë ndeshjes së parë të këtyre kualifikuesve, tanët nuk janë mundur më.
Shkrimi i Reuters
Shqipëria u kualifikua në Euro 2024 me një barazim 1-1 jashtë ndaj Moldavisë në Grupin E, pasi vendasit mbajtën gjallë shpresat e tyre për të arritur në finale me një barazim të vonë të premten. Shqipëria hapi rezultatin me një penallti në minutën e 25-të, pasi Ioan-Calin Revenco goditi Taulant Seferin. Sokol Cikalleshi dërgoi topin në rrjetë nga pika e bardhë e 11-metërshit. Mikpritësit tentuan fort për barazimin.
Në minutën e 87-të gjuajtja e ulët e Vladyslav Baboglo nga afërsia më në fund u dha arsye tifozëve moldavë për të festuar. Përpjekja e Shqipërisë për kualifikim filloi me një humbje 1-0 në Poloni në mars, por që atëherë ata kanë mbetur të pamposhtur, duke fituar katër ndeshje dhe duke barazuar dy herë për të arritur në 14 pikë dhe mund të sigurojnë vendin e parë me një fitore në shtëpi kundër Ishujve Faroe të hënën.
Moldavia është tani në vendin e tretë, barazohet me 10 pikë me Poloninë dhe një pikë pas Republikës Çeke, dhe ende mund të kualifikohet. Ata do të përballen me çekët jashtë të hënën, por nëse Republika Çeke fiton ndeshjen tjetër të grupit të së premtes me Poloninë në Varshavë, atëherë ëndrrat e Moldavisë për kualifikim do të marrin fund.