PRESTIGJOZET MEDIATIKE, “KRYEQËZOJNË” SERBËT PËR SJELLJEN. Incidenti në stadiumin “Partizani” të Beogradit ku u ushtrua dhunë ndaj kombëtares shqiptare ka pushtuar mediat e mbarë globit.
Rivaliteti Ballkanik e quan rrjeti amerikan CNN që e ka vendosur lajmin në faqen të parë të Websajtit.“Tensionet etnike në Ballkan dhe një incident me dron çuan në braktisjen e ndeshjes ndërkombëtare të futbollit për Europianin Francë 2016 pas përleshjeve të shëmtuara mes lojëtarëve”-raporton CNN, i cili e shoqëron lajmin me një background të gjatë historik që nga sulmet e NATO-s mbi Serbi që i dhanë fund genocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës e deri tek fakti që Kosova nuk mund të luajë në ndeshje ndërkombëtare për shkak se nuk është pjesë e FIFA dhe UEFA. Kuqezinjtë kanë zënë vendin e parë edhe tek prestigjozja britanike “The Guardian” e cila përshkruan hap pas hapi të gjitha momentet e ndeshjes që pas valëvitjes së flamurit me Shqipërinë etnike mbi stadium.Sipas gazetës pritet që UEFA të japë masa të rënda ndëshkimore ndërsa për momentin çështja është në shqyrtim.“The Guardian” kujton se kjo ndeshje vjen vetëm pak ditë përpara vizitës së kryeministrit Edi Raman, e cila është vizita e parë e një kryeministri shqiptar në Beograd që prej vitit 1967. “Ndeshja politikisht sensitive kualifikuese për Euro 2016 mes Shqipërisë dhe Serbisë u braktis pas përleshjeve mes lojëtarëve nga të dyja palët”-shkruan ndërkohë Reuters e cila kujton se autoritetet serbe nuk lejuan tifozët shqiptarë të ndiqnin nga afër këtë përballje.Agjencia prestigjoze ndërkombëtare raporton se si tifozët serbë hynë në fushë duke goditur futbollistët shqiptarë duke i detyruar të tërhiqen në dhomat e zhveshjes ndërsa tifozët vazhdonin të qëllonin nga tribuna.