25-vjetori i Medresesë së Shkodrës “Haxhi Sheh Shamia” është festuar përmes një aktiviteti madhështor në teatrin “Migjeni” ku të pranishëm ishin personalitetet më të larta fetare nga të gjitha trevat shqipfolëse dhe përfaqësues të pushtetit vendor.
Rrugëtimi jo lehtë i këtij institucioni arsimor, që nisi pak pas rënies së komunizmit në Shqipëri, ishte temë e një dokumentari i cili u shfaq në nisje të aktivitetit duke veçuar si sukses të madh urdhrin “Naim Frashëri i Artë”, dhënë në vitin 2011 nga presidenti i asaj kohe Bamir Topi. Por si në çdo përvjetor të rëndësishëm nuk munguan poezitë, këngët, e interpretimet nga nxënës e ish-nxënës të kësaj shkolle.
Drejtori Kujtim Dervishi që nga viti 2005 e në vazhdim, shprehu për mediat emocionet e këtij viti jubilar. Edhe pse larg fjalimeve protokollare e të gjata, kryetari i KMSH-së, Skënder Bruçaj, tha se feja nuk duhet të përdoret për çështje fetare e politike, por për qëllimin e lartë për t’u afruar me Zotin. Në vitin 2000 Medreseja e Shkodrës u nda në dy degë: dega e vajzave dhe ajo e djemve. Që prej krijimit të tij, me mbështetjen edhe të fondacionit “Islamic Relief”, ky insitutcion ka dhënë një kontribut të pashlyer në edukimin e brezave të rinj në të gjitha fushat duke përfshirë edhe atë fetare.