Emigracioni i paligjshëm dhe roli i krimit të organizuar do të jenë në vëmendje të një takimi trepalësh që do të zhvillohet këtë të shtunë në Romë, mes Giorgia Melonit, Rishi Sunak dhe Edi Ramës.
Liderët e Shqipërisë dhe Britanisë do të marrin pjesë në një tubim politik të organizuar nga partia “Vëllezërit e Italisë” e kryeministre Meloni, ku në panelin e diskutimeve do të jetë i ftuar edhe miliarderi i platformës X dhe Teslas, Elon Musk.
Eventi katër ditor i Atreju zhvillohet çdo vit në Itali dhe mban emrin e një personazhi në filmin fantazi të viteve 1980, “The Never Ending Story”. Ai u themelua nga Giorgia Meloni në 1998, kur drejtonte krahun rinor të Aleancës Kombëtare, pasardhëse e një partie neofashiste të krijuar nga aleatët e Benito Musolinit.
Edicioni i këtij viti do të mbahet në këështjellën e lashtë romake Castel Sant’Angelo pranë Vatikanit, dhe mes pjesëmarrësve do të jetë edhe lideri spanjoll i opozitës së ekstremit të djathtë Santiago Abascal.
Diskutimet do të përqëndrohen te mënyrat se si do të trajtohet kriza në rritje e emigracionit dhe Sunak vjen në takim, vetëm pak ditë pasi u përball me një votëbesim në Ëestminster që konsistonte në vijueshmërinë e planit për dërgimin e azilkërkuesve në Ruanda.
“Diskutimet do të përqendrohen në përpjekjet tona të përbashkëta për të trajtuar emigracionin e paligjshëm dhe krimin e organizuar, si dhe sfida të tjera të përbashkëta si lufta në Ukrainë dhe konflikti në Gaza. Siç e keni dëgjuar drejtpërdrejt nga kryeministri, ai e ka të qartë se kjo është një sfidë e përbashkët globale dhe është e rëndësishme që vendet të punojnë së bashku për ta trajtuar atë, ashtu siç jemi ne me Ruandën dhe me vende të tjera me të njëjtin mendim si Italia dhe Shqipëria”, tha një zëdhënëse e Downing Street.
E pyetur nëse një marrëveshje për përpunimin e azilkërkuesve në Shqipëri mund të hidhet në tryezë, ajo u përgjigj: “Fokusi do të jetë në partneritetet tona ekzistuese dhe puna si me Italinë ashtu edhe me Shqipërinë, si dhe në punën që tashmë është duke vazhduar me ta për migracionin ilegal, dhe marrëveshja e kthimit, për shembull, me Shqipërinë që ne kemi tashmë.”