Këshilli i Ministrave vendosi rregullat e reja për dëbimin e emigrantëve nga të ashtuquajturat “vendet e sigurta”, të cilat do të anashkalojnë vendimet e drejtësisë dhe detyrimet e vendosura nga Gjykata e BE-së. Kryeministrja Italiane Giorgia Meloni, u shpreh pak ditë më parë se nuk do të lejonte një vendim gjykate për të prishur paktin e saj me Shqipërinë për kampet e emigrantëve. Ashtu siç deklaroi në fundjavë, Meloni nisi manovrat ligjore për të kapërcyer pengesat që i sillte vendimi i gjykatës së Romës. Këshilli i Ministrave në Itali miratoi ditën e sotme ndryshimet e reja ligjore për emigrantët dhe vendet e sigurta. Rregullat e reja për të kapërcyer jo-në e gjyqësorit për riatdhesimin e menjëhershëm të emigrantëve u miratuan brenda pak minutash.
Këshilli i Ministrave vendosi rregullat e reja për dëbimin e emigrantëve nga të ashtuquajturat “vendet e sigurta”, të cilat do të anashkalojnë vendimet e drejtësisë dhe detyrimet e vendosura nga Gjykata e BE-së. Në pak minuta, Këshilli i Ministrave miratoi një dekret ligjor që tregon se në cilat vende do të kryhen riatdhesimet e menjëhershme: një formulë “primare” e cila është më e fortë nga pikëpamja legjislative sesa dekreti i thjeshtë i Ministrisë të Punëve të Jashtme në fuqi deri më sot.
Dispozita e re konfirmon në masë të madhe listën me 22 shtete të konsideruara të sigurta nga qeveria italiane, duke u përpjekur të “bllokojë” me një ligj më të fuqishëm mundësinë e dëbimit të menjëhershëm për ata që vijnë nga një nga vendet e listës së përpiluar sot. Në ndryshimet e sotme, Këshilli i Ministrave vendosi të ulë numrin e vendeve të sigurta nga 22 në 19, pasi përjashtoi Kamerunin, Kolumbinë dhe Nigerinë. Mbetet për t’u parë nëse gjykatat – të cilat në 95% të rasteve nuk kishin konfirmuar ndalimin e emigrantëve – do të ndryshojnë qëndrim pas ndryshimeve ligjore të bëra nga qeveria Meloni.
Pengesa, në fakt, u vendos nga vendimi i Gjykatës së BE-së i datës 4 tetor, i cili nuk përfshinte shumicën e 22 vendeve në mesin e atyre që janë në gjendje të mbrojnë të drejtat e të gjithë qytetarëve. Gjyqtarët evropianë kishin specifikuar se një vend nuk mund të jetë i sigurt nëse një pjesë e territorit të tij nuk garanton mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve, pa përjashtuar asnjë kategori. Prandaj përjashtimi i Kolumbisë, Nigerisë dhe Kamerunit, vende të cilat nuk e plotësojnë këto kritere do t’i hapë rrugë vazhdimit të marrëveshjes Rama-Meloni.