Kompania farmaceutike Merck & Co tha të premten se ilaçi i saj eksperimental kundër COVID-19 përgjysmon shtrimet në spital si dhe vdekjet te njerëzit e infektuar kohët e fundit me koronavirus dhe se së shpejti do të kërkojë nga zyrtarët shëndetësorë në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën që të autorizojnë përdorimin e tij.
Nëse miratohet, ilaçi i firmës Merck do të ishte pilula e parë që do të përdorej për të trajtuar COVID-19, një hap potencialisht i madh në përpjekjet për të luftuar pandeminë. Të gjitha terapitë për COVID-19 të autorizuara tani në Shtetet e Bashkuara kërkojnë një injeksion intravenoz.
Kompania Merck dhe partneri i saj Ridgeback Biotherapeutics thanë se rezultatet fillestare treguan se pacientët që e morën ilaçin, e quajtur “molnupiravir”, brenda pesë ditëve të para të shfaqjes së simptomave të COVID-19 kishin 50 për qind më pak shanse për t’u shtruar në spital dhe për vdekje, krahasuar me pacientët që morën një pilulë falso.
Studimi ndoqi 775 të rritur me simptoma të lehta deri në të moderuara të COVID-19 të cilët konsideroheshin me rrezik më të lartë për sëmundje të rënda për shkak të problemeve shëndetësore të tilla si obeziteti, diabeti ose sëmundjet e zemrës. Në mesin e pacientëve që morën ilaçin molnupiravir, 7.3% ose u shtruan në spital, ose vdiqën në fund të 30 ditëve, krahasuar me 14.1% të atyre që morën pilulën falso.
Sipas kompanisë Merck, nuk pati vdekje në grupin e atyre që morën ilaçin pas kësaj periudhe kohore krahasuar me tetë vdekje në grupin e atyre që morën pilulën falso. Rezultatet u publikuan nga kompania dhe nuk janë rishikuar nga ekspertë të tjerë. Merck tha se ka në plan t’i prezantojë ato në një takim të ardhshëm mjekësor.
Një grup i pavarur ekspertësh mjekësorë, që vëzhgonte provat, u shpreh se ato nuk kishin nevojë të vazhdonin më tej, pasi edhe deri në atë fazë të përkohshme, përfundimet ishin mjaft bindëse. Drejtuesit e kompanisë thanë se janë në diskutime me Administratën e Ushqimit dhe Barnave dhe planifikojnë të paraqesin të dhënat për shqyrtim në ditët në vijim.
“Ai tejkaloi atë që mendova se ilaçi mund të ishte në gjendje të bënte në këtë provë klinike,” tha Dr. Dean Li, nënpresident në departamentin e kërkimeve të kompanisë Merck. “Kur sheh një ulje 50% të shtrimit në spital ose vdekjeve, është një arritje klinike thelbësore”. Në provat klinike të ilaçit u raportuan efekte anësore nga të dy grupet, por ato ishin më të zakonshme në grupin që mori një pilulë falso. Kompania nuk i specifikoi problemet.
Rezultatet e studimit të mëparshëm treguan se ilaçi nuk sillte përfitime për pacientët që tashmë ishin shtruar në spital me simptoma të rënda. Shtetet e Bashkuara kanë miratuar një ilaç antiviral, remdesivir-in, për COVID-19 dhe kanë lejuar përdorimin urgjent të tre terapive me antitrupa, që ndihmojnë sistemin imunitar të luftojë virusin. Por të gjitha barnat duhet të jepen me injeksion në spitale, ose klinika mjekësore dhe furnizimet janë pakësuar për shkak të përhapjes së variantit delta.
Ekspertët shëndetësorë, përfshirë ekspertin kryesor amerikan të sëmundjeve infektive Dr. Anthony Fauci kanë kërkuar prej kohësh një pilulë të përshtatshme, që mund të marrin pacientët kur shfaqen për herë të parë simptomat e COVID-19. Medikamente të tilla shihen si jetike për kontrollin e valëve të ardhshme të infeksionit dhe zvogëlimin e ndikimit të pandemisë.
Ilaçi i kompanisë Merck funksionon duke ndërhyrë në një enzimë që përdor koronavirusi për të kopjuar kodin e tij gjenetik dhe për të riprodhuar veten. Ilaçi ka treguar mndikim të ngjashëm edhe kundër viruseve të tjerë.
Qeveria amerikane është zotuar të blejë 1.7 milionë doza të ilaçit nëse autorizohet nga FDA-ja. Kompania Merck ka thënë se mund të prodhojë 10 milionë doza deri në fund të vitit dhe ka kontrata me qeveritë në mbarë botën. Kompania nuk e ka bërë të ditur çmimet e ilaçit./VOA