Ekipi i Vllaznisë, që nga dita e djeshme ka nisur përgatitjet në Berane të Malit të Zi.

Dita e parë e përgatitjeve ka filluar me dy seanca stërvitore dhe kështu është vazhduar edhe ditën e sotme. Temperaturat e ulëta, që mbizotërojnë në këtë kamping, i kanë dhënë mundësinë trajnerit Cungu dhe stafit të tij të rrisin ngarkesat stërvitore për futbollistët. Për momentin çdo gjë duket se ka nisur mirë në fazën më intensive të përgatitjeve për sezonin e ri. Ajo që vazhdon të shqetësojë të gjithë te kjo skuadër është mungesa e një sulmuesi cilësor. Ndryshe nga sa flitet në media, te Vllaznia, mesa merret vesh, askush nuk e ka mendjen te sulmuesit Plaku e Ribaj. Të dy u janë ofruar drejtuesve të saj, por nuk janë në planet e kuqebluve. Për këtë arsye synohet gjetja e një sulmuesi tjetër. Kjo konfirmohet nga burime pranë klubit shkodran. Sa i takon Plakut, ai u është ofruar kuqebluve, por nuk janë shumë të bindur nëse me këtë lojtar mbyllet problemi i sulmit apo jo, prandaj kanë vendosur që të mos negociojnë me të. Ndërkohë, për Ribajn çështja është disi më ndryshe, sepse sulmuesi nuk është lojtar-goli i mirëfilltë. Pikërisht futbollist i këtij tipi i duhet kësaj skuadre dhe, për këtë arsye, edhe opsioni i tij është thuajse i rënë poshtë. Drejtuesit e skuadrës janë duke tentuar sërish për të gjetur ndonjë lojtar tjetër, por kuptohet që kjo është pak e vështirë, sepse tashmë merkatoja po shkon drejt fundit dhe lojtarët cilësorë i kanë gjetur ekipet tashmë.

Artikulli paraprakVLLAZNIA NË FAZËN PËRGATITORE, PROBLEM NDESHJET MIQËSORE
Artikulli tjetërMERKATO KUQEBLU, ENDE NUK ËSHTË MBYLLUR