Merkatoja e Vllaznisë ende nuk është mbyllur.
Pas afrimit të Bicajt dhe Hoxhës, tashmë pritet edhe firma në kontratë me mbrojtësin e majtë, Manuka, por stafi teknik kërkon ende futbollistë si përforcim. Trajneri Cungu e ka bërë të qartë se ka nevojë edhe për një sulmues cilësor, si dhe për një mesfushor organizator. Për këtë arsye po shohin të gjitha variantet e mundshme për të gjetur lojtarët e duhur. Ajo që ka rëndësi është se klubi i ka lënë dorë të lirë për t’i marrë edhe këto dy futbollistë dhe kjo konfirmohet edhe nga administratori Astrit Gjyrezi në një prononcim që ka dhënë për mediat. Skuadra shkodrane duket e plotësuar në prapavijë, duke nisur që nga porta, për të vazhduar me mbrojtjen dhe mesfushën. Mbetet ende për të marrë formë pjesa sulmuese e saj, sepse të gjithë lojtarët, që janë aktualisht tek Vllaznia, nuk shquhet si golashënues të mirëfilltë. Natyrisht që gjetja e një sulmuesi të tillë është problem, megjithatë drejtuesit kuqeblu po punojnë çdo ditë në këtë drejtim.