Përforcimet te Tërbuni vazhdojnë. Pasi kanë siguruar disa lojtarë për mbrojtjen, mesfushën dhe sulmin, drejtuesit e skuadrës pukjane janë ndalur edhe te porta. Ditën e hene administratori Grand Frroku ka mbyllur gjithçka me portierin Eglant Haxho dhe ai tashmë është pjesë e kësaj skuadre, sepse është arritur akordi financiar për të luajtur një vit me të. Haxho ka përvojën e duhur për të luajtur edhe në Superligë, sepse ka qenë më parë pjesë e ekipeve të Apolonisë, Bylisit dhe Teutës, ndërsa tani do të debutojë në portën e Tërbunit.
Megjithatë, merkatoja për portën mund të mos ndalet këtu. Drejtuesit pukjanë janë duke tentuar të marrin nga Partizani, Fabio Gjonikajn. 20-vjeçari që pëlqehet shumë edhe te Vllaznia, ndoshta të ndikohet nga origjina e tij për t’iu bashkuar skuadrës, që në sezonin e ri do të drejtohet nga shkodrani Samuel Nikaj. Ndërkohë, sa i takon portierit kamerunas Joseph Leke Asong, burime pranë kësaj skuadre bëjnë të ditur se ai do të largohet, ngaqë nuk ka bindur plotësisht stafin teknik. Në këtë mënyrë, ekipi debutues i Superligës ka nisur të marrë formën e duhur. Me të kanë firmosur disa lojtarë me përvojë e po ashtu janë pjesë e tij edhe disa të tjerë që kontribuan për ngjitjen në Superligë, ndërkohë që në provë janë edhe shumë djem të rinj, të cilët duan një shans për t’u provuar dhe, pse jo, të jenë pjesë e Tërbunit në sezonin e ri. Trajneri Nikaj ka vendosur t’ua japë këtë shans dhe tashmë është në dorën e tyre për ta bindur. E rëndësishme është që brenda një jave kjo skuadër ka mbyllur shumë tratativa me lojtarët e dëshiruar dhe kjo tregon se projektet e saj janë ambicioze.