Kancelarja gjermane Angela Merkel fajëson Rusinë për minimin e sigurisë evropiane me “fjalë e me vepra” dhe premtoi mbështetje për shtetet e Europes Lindore që i tremben synimeve të Kremlinit.

Në një fjalim të ashpër në Bundestag, të mbajtur vetëm disa orë përpara nisjes për të marrë pjesë në samitin e NATO-s në Varshavë, shefja e ekzekutivit gjerman tha se sjellja e Moskës i ka “trazuar thellësisht” anëtarët lindorë të aleancës, përfshirë këtu Poloninë dhe shtetet balltike. “Veprimet e Rusisë në Ukrainë i shqetësuan shumë fqinjët tanë lindorë. Fuqia e ligjit dhe paprekshmëria e kufijve u sfiduan me fjalë e me vepra, e paskësaj, besimi tek NATO-ja u zbeh. Është e nevojshme që garancitë e aleancës të forcohen sërish”, u shpreh Merkel. Por, edhe pse e përkrahu politikën e demonstrimit të forcës, e cila përfshin dhe shtimin e trupave ushtarake të aleancës veri-atlantike në Evropën Lindore, Merkel e bëri njëkohësisht të qartë se dialogu i NATO-s me Rusinë duhet të vazhdojë në të mirë të sigurisë në mbarë Kontinentin e Vjetër. “Ne jemi të bashkuar në mendimin se një siguri e vazhdueshme e Evropës do të mund të arrihet me Rusinë dhe jo kundër Rusisë”, deklaroi Merkel. Fjalimi i saj nxorri në pah ndasitë e krijuara rishtazi mes linjës së ashpër të kancelares dhe thirrjeve të ministrit të Jashtëm Frank Walter Steinmeier për një qasje shumë më të zbutur ndaj Moskës.

Artikulli paraprakCRISTIANO: KËTË RADHË DO TË FITOJMË!
Artikulli tjetërQENDRA E BASHKËPUNIMIT NDËRFETAR DËNON FYERJET E HISTORIANIT TURK