Kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të zhvillojë sot një takim me Presidentin rus, Vladimir Putin, teksa shënon vizitën e parë në Rusi që prej dy vitesh. Palët do të diskutojnë në rezidencën verore presidenciale në Sochi, ndërsa pjesë e bisedës së tyre pritet të jenë një sërë cështjesh, përfshirë tensionet në Ukrainën lindore, Krimea, lufta në Siri si dhe marëdhëniet me Presidentin sirian, Bashar Al Assad.

Ekspertët shprehen se palët kanë qëndrime ekstremisht të kundërta dhe nuk presin të ketë ndryshim të tyre. Marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Rusisë janë përkeqësuar që prej sanksioneve që perëndimorët vendosën për shkak të aneksimit të Krimesë në vitin 2014, e megjithatë, mediat ndërkombëtare kanë shkruar se Merkel do të përpiqet të krijojë një linjë komunikimi me Moskën, pavarësisht situatës së vështirë. Presidenti Putin nga ana tjetër do të apelojë për heqjen e sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë, që sipas tij, janë miratuar në mënyrë të padrejtë.

Axhenda e liderit të Kremlinit është mjaft e ngjeshur në këto dy ditë. Pas takimit me Merkel, Putin do të zhvillojë në orët e mbrëmjes një bisedë telefonike me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ku palët do të flasin rreth cështjeve më të ndjeshme për dy palët. Kjo do të jetë biseda e tretë telefonike mes tyre, qëkurse Trump mori zyrën e presidencës amerikane. Ndërkohë, ditën e nesërme, në Sochi do të mbërrijë Presidenti Rexhep Taip Erdogan. Përvec politikës, në bisedën mes tyre, do të diskutohet gjerësisht edhe për projektet ekonomike.

Artikulli paraprakARRESTOHET SHQIPTARI ME FURGONIN E MBUSHUR ME REFUGJATË AFGANË
Artikulli tjetërSËRFISTI SHPËTOHET PAS 32 ORË NË DET TË HAPUR