Në seancën e sotme plenare u shqyrtua nen për nen projektligji ‘Për buxhetin e vitit 2024’ dhe 3 projektligjeve, pjesë e Paketës Fiskale të vitit 2024. U miratua me 74 vota pro, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim kërkesa e grupit të PS-së për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektvendimit “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e Kuvendit të Shqipërisë, nr.166, date 16.12.2004 ‘Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë’, të ndryshuar”. Projektvendimi do të shqyrtohet seancën e radhës më 14 dhjetor. U votua nën për nen dhe në tërësi të 3 projektligjeve të Paketës Fiskale.
-Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, i cili u miratua me 75 vota pro, 2 vota kundër dhe 0 abstenim;
-Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, i cili u miratua me 75 vota pro, 3 kundër dhe 0 abstenim;
-Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”, i cili u miratua me 75 vota pro, 4 kundër dhe 0 abstenim.
Tre amendamentet nga deputetë të opozitës u rrëzuan! Konkretisht 1 nga deputetja Zheni Gjergji dhe 2 amendamente nga deputeti Bujar Leskaj. Amendamenti i Gjergjit u rrëzua me 75 vota kundër, asnjë pro, ndërsa dy amendamentet e Leskaj u rrëzuan me 75 vota kundër, 2 pro dhe 0 Abstenim. Projektligji për buxhetin 2024 sipas variantit të propozuar nga komisioni për Ekonominë dhe Financat u miratua nen për nen dhe në tërësi me 74 vota pro, 4 kundër dhe 0 abstenim.