“Njerëzit kanë nevojë të dëgjojnë zgjidhje të problemeve të tyre nga politike dhe jo të përballet me dhunën dhe gjuhën e urrejtjes”. Ka qenë ky mesazhi që ka dhënë nga Shkodra Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci. Ai u shpreh se nevojat e qytetarëve janë shërbimi ndaj tyre, ndërkohë që u shpreh se plotësimi i kushteve për në Bashkimin Europian duhet të jetë objektiv i të gjithë spektrit politike.

“Gjëja e parë është që duhet të ulim tonet, sepse tonet që i drejtohen dhunës, revoltës, nuk mendoj se i bëjmë mirë vendit. Mendoj se qytetarët e këtij vendi kanë nevojë për një vend normal, për politikanë normalë, të cilët kujdesen për nevojat e qytetarëve, e nevojat e qytetarëve janë shërbimet publike, shkolla të reja, hapësira të reja, kjo është ajo çfarë kanë nevojë njerëzit nga politika e të gjithë kahëve politike, mazhoranca apo opozita.

Gjëja e dytë që kam evidentuar me grupin e miqësisë parlamentare mes Shqipërisë dhe Italisë, ka qenë një tjetër këndvështrim në atë mbrëmje, një shpirt ndoshta edhe Italian, ku të gjithë së bashku po diskutonin larg zhurmës dhe debateve brutale, por me një shpirt të butë për të mirën e njerëzve për nevojat e kombit, dhe është ajo fryma që i duhet vendit.

Pak kohë më parë Shqipëria ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt BE, dhe hyrja e Shqipërisë në familjen e madhe europiane nuk është objektiv i vetëm një krahu politik, është objektiv politik i të gjithëve, dhe mua më pëlqen që të gjithë të punojnë në këtë drejtim, pa diskutim që mund të ketë mendime apo ide të ndryshme por në demokraci mazhoranca është ajo që qeveris, dhe janë zgjedhësit ato që vendosin kush qeverisë, çdo dy vite, çdo vite, 1 herë në katër vite për qeverinë, 1 herë në 4 vite për zgjedhje lokale, ai është momenti kur qytetarët shprehen. Në këto 4 vite mua do të më pëlqente që politikanët të zgjidhnin formën e civilizimit dhe dialogut që nuk është gjithmonë përballje mes akuzave, dhunës verbale, e të shpresojmë që të mos ketë dhunë të asnjë forme tjetër”, tha Bucci.

Sa i takon zgjedhjeve të 14 Majit dhe situatës brenda opozitës ai ka deklaruar se 14 Maji do të jetë një ditë ë rëndësishme për të gjithë shqiptarët ndërkohë që është shprehur se vendit por edhe vetë mazhorancës i duhet një opozitë e fortë në parlament dhe jo një opozitë që përcjell gjuhën e dhunës.

“Zgjedhjet e 14 Majit janë zgjedhje të rëndësishme pasi zgjedhin drejtuesit e 61 bashkive. Do të doja që me 14 Maj politikanët të mundohen që t’i ofrojnë zgjidhje qytetarëve. Do të dëshiroja që me 14 Maj, politikanët të ofrojnë alternative për banorët.

Qëndrimi im është që edhe opozita të mbushë boshllëkun e krijuar, sepse në demokraci një mazhorancë ka nevojë për një opozite, opozita është e fortë nëse është e bashkuar, por këshilla ime si përfaqësues i Italisë, është që opozita duhet te jetë e fortë dhe e bashkuar që në parlament të bëje një opozitë serioze mbi gjëra konkrete dhe jo vetëm kaos, kjo nuk i shërben askujt, as mazhorancës”, tha Bucci.

Deklaratat e Ambasadorit të Italisë, u bënë gjatë vizitës së këtij të fundit në Shkodër ku është takuar me Kryetarin e Bashkisë Shkodër Bardh Spahia duke parë nga afër një sërë investimesh italiane në këtë qytet ndërkohë që ka deklaruar se mbështetja e Italisë ndaj Shkodrës do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Artikulli paraprakSOT KUVEND, DEPUTETËT E BERISHËS KËRKOJNË MOCION ME DEBAT, PROTESTË JASHTË PARLAMENTIT! RAMA NË JAPONI
Artikulli tjetërPËRSËRITET SKENARI, DEPUTETËT E PËRJASHTUAR TENTOJNË SËRISH TË FUTEN NË KUVEND