Mesnata solli lajmin e gëzuar për të gjithë besimtarët ortodoksë se “Krishti u ringjall”, e bashkë me të dhe shpresa për botën, i cili është dhe simboli i Pashkëve.

E ndaj në këtë festë të bekuar nuk mund të mungonte urimi i kryepeshkopit Anastas Janullatos, i cili dha edhe një mesazh të qartë për të gjithë besimtarët.

Sipas Kryepeshkopit, dëshpërimi dhe shqetësimi janë përhapur në të gjithë shoqërinë dhe zhgënjimi është duke shtypur zemrat, ndërsa u lut për dashuri dhe paqe. “Veçanërisht në epoka të vështira, si kjo e sotmja, ku dëshpërimi i thellë dhe shqetësimi janë përhapur në mbarë shoqërinë dhe ku zhgënjimi i shtyp zemrat, çdo besimtar ftohet të marrë mesazhin ngjallësor të gëzimit, të dashurisë dhe të paqes dhe ta transmetojë tek ata që ndodhen afër dhe larg tij. Ejani të ngazëllohemi më Zotin, i cili dërrmoi pushtetin e vdekjes dhe ndriçoi gjindjen njerëzore. Ejani të gëzojmë për besimin tonë në fitoren e drejtësisë mbi padrejtësinë, të së vërtetës mbi gënjeshtrën, të jetës mbi vdekjen. Ejani, si gjymtyrë të Kishës, si qeliza të Trupit Mistik të Krishtit, të marrim pjesë në veprën e Tij rinovuese, në ofrimin e dashurisë, të optimizmit dhe frymës krijuese në shoqërinë tone”, tha Kryepeshkopi Anastas Janullatos.

Kujtojmë se disa ditë më parë Kisha Katolike mbajti një qëndrim zyrtar mbi zhvillimet e fundit në vend ku u dënua me forcë dhuna e ushtruar ndaj njerëzve, por edhe ndaj institucioneve, duke marrë shkas nga protesta për taksën në Rrugën e Kombit.

Artikulli paraprakBERISHA TREGON ARSYEN E MIQËSISË SË RAMËS ME VUÇIÇ, KUJTON RASTIN E VIKTOR PONTËS
Artikulli tjetërBLLOKIMI I RRUGËVE NGA OPOZITA, PROCEDOHEN 34 LIDERË POLITIKË DHE 23 PROTESTUES