Me rastin e Vitit mbarëkombëtar kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, në 550-vjetorin e vdekjes, ipeshkvijtë katolikë të Shqipërisë i kanë drejtuar gjithë shqiptarëve një mesazh, me anë të të cilit falenderojnë Zotin që, falë burrave dhe atdhedashësve si Skënderbeu, trojet shqiptare gëzojnë lirinë e banorët e tyre kanë një atdhe.
Gjithashtu, ata shtrojnë një sërë pyetjesh për të sotmen: “A ndjehemi vërtetë të lirë, pas 27 vjetësh nga rënia e komunizmit? Çfarë na shtyp akoma? Cilat janë frikërat tona? Pse kaq vonesa për të hyrë në Bashkimin Europian, një ëndërr që na shoqëron gjithmonë? Pse nuk e duam Atdheun tonë si Etërit tanë që vdiqën për të, por ne duam të ikim prej tij? Kush janë armiqtë tanë sot kundër të cilëve duam të luftojmë e t’i mundim së bashku: varfëria, zhvillimi i pabarabartë i shoqërisë tonë, korrupsioni, analfabetizmi, etj.? Kemi nevojë për një hov të fortë “ndershmërie” dhe “meritokracie” nga ana e të gjithëve për të mirën e kombit tonë”. Mesazhi i plotë: Fort të dashur, Kur, para pesëdhjetë viteve, Shqiptarët të shperndarë në shumë vende kremtonin pesëqind vjet nga vdekja e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Papa Pali VI shkroi një letër në të cilën tha se Skënderbeu “… ishte biri i lavdishem i një toke që pati fatbardhësinë të ishte pjesë e programit apostolik te Shen Palit, ku ai mbolli ndoshta rishtazi farën e Ungjillit.” Dhe vazhdoi: “Pararendesit tanë e mbuluan me elozhe më tepër se çdo hero te asaj epoke. Ai arriti te ruante për njëzet e pesë vjet prej pushtimit atdheun e tij, i cili ishte pika me e brishte e sistemit mbrojtes të krishterimit. Për këtë arsye, pararendësi ynë, Kaliksti III, duke patur parasysh devocionin dhe atashimin ndaj Selisë apostolike të ketij kapedani, tha për të me të drejtë se ‘ai kishte merituar më shumë nga të gjithë princat katolikë levdata për nder të besimit dhe fesë katolike’”. 550 vjetori i vdekjes së tij është një rast reflektimi rreth ndjenjave të atdhedashurisë dhe sidomos të aspiratave të lirisë së popujve dhe të njeriut si individ. Liria është ndër të drejtat më thelbësore të një populli, të grupeve shoqërore dhe të individëve.
Thënia lapidare që i atribuohet Skënderbeut në momentin e mbërritjes së tij në trojet arbërore, se lirinë nuk e kishte sjellë, por e kishte gjetur aty, tregon se liria i rrin natyrshëm çdo njeriu dhe çdo populli. Çdokush që lufton për lirinë e një populli në fakt promovon atë çka i përket në thelb natyrës njerëzore dhe që e bën bashkëjetesën njerëzore më të mundshme dhe të bukur. Ne duam të falenderojmë Zotin që, falë burrave dhe atdhedashësve si Skënderbeu, sot kemi lirinë, kemi një atdhe. Në një kohë, e cila ndryshon shumë nga e sotshmja, ai me shumë kurajo e forcë i bëri ballë njërës prej perandorive më të forta e gjakatare të kohës. Sikurse pati thënë Papa Pali VI: “Shekulli XV qe për kombin shqiptar një prej periudhave më të veshtira, por edhe më të lavdishme të historisë së tij … Qëndresa e shqiptarëve përrëth një çerek shekulli qe e guximshme dhe fitimtare, mbi të gjitha falë vlerës dhe zotësisë së kryezotit të tyre, Gjergj Kastrioti Skënderbeut”. Skënderbeu nuk harroi rrënjët e tij shoqërore dhe shpirtërore, as u josh nga pushteti që i jepej. Si i tillë Skënderbeu nuk i përket vetëm një grupi njerëzish, një krahine apo një feje, por të gjithë atyre që e ndjekin lirinë si një aspiratë të brendshme për të cilën ia vlen çdo sakrificë. Përvoja e popullit tonë, edhe pse e vuajtur në shumë momente, ka qenë një përvojë e kërkimit të lirisë. Tani është koha që kësaj lirie t’i japim cilësi me angazhimin tonë në kërkimin e drejtësisë, të së vërtetës dhe të Shpirtit të Zotit. Vëllezër e motra, ndërsa falenderojmë Kryeministrin për shpalljen e një viti jubilar për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, i drejtojmë vetes këto pyetje: Sot a ndjehemi vërtetë të lirë, pas 27 vjetësh nga rënia e komunizmit? Çfarë na shtyp akoma? Cilat janë frikërat tona? Pse kaq vonesa për të hyrë në Bashkimin Europian, një ëndërr që na shoqëron gjithmonë? Pse nuk e duam Atdheun tonë si Etërit tanë që vdiqën për të, por ne duam të ikim prej tij? Kush janë armiqtë tanë sot kundër të cilëve duam të luftojmë e t’i mundim së bashku: varfëria, zhvillimi i pabarabartë i shoqërisë tonë, korrupsioni, analfabetizmi, etj.? Kemi nevojë për një hov të fortë “ndershmërie” dhe “meritokracie” nga ana e të gjithëve për të mirën e kombit tonë. Ju njoftojmë se, me rastin e këtij përvjetori, të mërkurën më 17 janar do të kremtohet një meshë falënderimi në Kishën Katedrale të Lezhës në orën 9.00 paradite, dhe pastaj bëhet një ceremoni pranë memorialit të Skënderbeut. Duam të mbarojmë këtë letër duke iu referuar edhe një herë letrës së Papës Pali VI, ku thotë: “Me një besim të ripërtërirë, thërrasim të ndërmjetësojë, në rrethanat e tashme, Zojën e Këshillit të mirë, e cila, qysh prej vdekjes së Skënderbeut, nderohet në Genazzano dhe që shqiptarët e njohin dhe e lusin nën emërtimin e Zojës së Shkodrës.”