Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë sot në veprimtarinë e prezantimit të Mesazhit të Paqes së Atit të Shenjtë, Papa Françesku: “Emigrantë dhe refugjatë: burra dhe gra në kërkim të paqes”, që u zhvillua në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”.

Në përshëndetjen e Tij drejtuar Presidentit të Universitetit Daniele Bertoldi, Nuncit Apostolik Imzot Charles Brown, Ambasadorëve dhe përfaqësuesve të Trupit Diplomatik, deputetëve të Kuvendit, krerëve dhe përfaqësuesve të bashkësive fetare dhe institucioneve, Rektorit Prof. Bruno Giardina, pedagogëve dhe studentëve të pranishëm, Presidenti i Republikës u shpreh: “Përfitoj nga ky rast i mrekullueshëm që t’i drejtoj Atit të Shenjtë, Papa Françeskut falënderimet më të sinqerta dhe mirënjohjen më të thellë në emër të popullit shqiptar për mesazhin e Tij drejtuar mbarë njerëzimit në fillim të këtij viti lidhur me festimet e Ditës Botërore të Paqes 2018! Mesazhi i Atit të Shenjtë, Papa Françeskut ka në fokusin e vet ‘Emigrantët dhe refugjatët: Burrat dhe Gratë në kërkim të Paqes’. Ati i Shenjtë, Papa Françesku i konsideron shkaqet e këtij problemi: së pari, tek luftërat, konfliktet, gjenocidet dhe pastrimet etnike, që i detyrojnë njerëzit të largohen nga vendet e tyre; së dyti, tek dëshira e njerëzve për një jetë më të mirë dhe; së treti, tek varfërimi si pasojë e degradimit të mjedisit dhe katastrofave natyrore.

Shqipëria jonë është shpalosur prej shekujsh si vend i vlerave të mëdha njerëzore. Për shkaqe sigurie, diskriminimi, gjenocidesh apo pastrimesh etnike, në trojet shqiptare kanë hyrë komunitete të huaja. Ato janë mirëpritur e mbrojtur, garantuar dhe integruar në shoqërinë shqiptare. Sot këto komunitete janë bërë pjesë e shoqërisë dhe e vlerave tona të përbashkëta, duke u shndërruar gjithashtu në ura miqësie dhe bashkëpunimi të Shqipërisë dhe shqiptarëve me vendet dhe popujt e tyre të origjinës.

Artikulli paraprakEMIGRATI SHQIPTAR BURGOSET PËR TË DYTËN HERË PËR VJEDHJE
Artikulli tjetërPOSTA SHQIPTARE: NUK U GRABITËM NE, SHËRBIMI PËR QYTETARËT VAZHDON NORMALISHT