Në kishën e motrave stigmatine u kremtua mesha e shenjtë e udhëhequr nga Dom Gjovalin Simoni në nder të së lumes Marie Tuci , e cila me 5 nëntor 2016 u shpall e lume .
Është e vetmja grua në listën e 38 martirëve shqiptarë, që kanë dhënë jetën. U përkujtua kalimin i saj në amshim, pas torturash çnjerëzore. Marie Tuci ka lindur më 12.03.1928 në Mirditë , ka ndjekur Shkollën e Përgjithshme tek Motrat Stigmatine në Shkodër dhe pastaj hyri aspirante në jetën rregulltare stigmatine . Më 10 gusht 1946 u arrestua së bashku me familjarët e saj dhe persona të tjerë për vrasjen e Bardhok Bibës, sekretar i Partisë Komuniste në Mirditë.
Në burgun e Shkodrës merret në pyetje dhe torturohet për të treguar emrin e vrasësit. Vendoset dhe mbyllet në një thes të madh me mace që e gërrvishtin në mënyrë mizore. Pas shumë pyetjesh dhe torturash, shtrohet në spital në kushte të rënda shëndetësore . Ajo vdiq në spitalin e Shkodrës më 24 tetor 1950 . Sot eshtrat e saj ruhen në Kishën e Motrave Stigmatine në Shkodër .