Zëvendëskryeministrja e Republikës së Shqipërisë Znj. Senida Mesi ka pritur në një takim zyrtarë të lartë të OSBE.

Mark Pritchard, Përfaqësues i Posaçëm i OSBE-së për Evropën Juglindore, Ambasadorin Andreas Nothelle dhe përfaqësues të tjerë. Bashkëbisedimi u përqendrua në proceset aktuale që prekin jo vetëm Shqipërinë, por edhe rajonin.

Në kuadër të bashkëpunimit rajonal, Znj. Mesi u shpreh se Shqipëria është vlerësuar nga partnerët ndërkombëtarë për rolin e saj konstruktiv në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon dhe për kontributin e saj në stabilitetin e rajonit.

Me besimin që vendet duhet të punojnë për një fqinjësi të mirë dhe produktive, Znj. Mesi shprehu gadishmërinë e Qeverisë Shqiptare për të vazhduar rolin e vendit tonë si promovues i sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal dhe nënvizoi gjithashtu se perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) ka ndihmuar rajonin të tejkalojë konfliktet e së kaluarës dhe gradualisht të ndërtojë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë.

“Në sajë të proceseve të tilla si ai i Berlinit dhe iniciativave të tjera rajonale, tashmë kemi një rrjet të mirëfilltë të bashkëpunimeve multilaterale në rajon çka i kanë sjellë edhe më afër vendet me njëra-tjetrën dhe ka përforcuar gjithëpërfshirjen”.

Në lidhje me Kosovën, ZëvendësKryeministrja Mesi u shpreh besim-plotë për dialogun Kosovë – Serbi të drejtuar nga Bashkimi Evropian dhe theksoi se propozimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave është një lajm shumë i mirë për Kosovën dhe se vendi ynë mbetet në pritje të një vendimi pozitiv të Këshillit dhe Parlamentit Evropian.

Z. Mark Pritchard, Përfaqësues i Posaçëm i OSBE-së për Evropën Juglindore, u interesua në mënyrë të veçantë për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe ecurinë e reformave thelbësore si ajo në drejtësi.

ZëvendësKryeministrja Mesi konfirmoi angazhimin maksimal të Qeverisë Shqiptare për procesin e integrimit dhe realizimin me sukses të procesit parapërgatitor që tashmë ka nisur me Komisionin Evropian.

 

Artikulli paraprakEUROPA NJEH QIELLGËRVISHTËSIN E RI
Artikulli tjetër64 MIJË TURISTË VIZITOJNË KALANË E ROZAFËS