Në ditën e festës së Kurban Bajramit ka uruar edhe politika. Presidenti Meta përmes mesazhit që ka përcjellë kërkon dialog gjithëpërfshirës dhe bashkëpunim.

Kreu i shtetit Ilir Meta ka uruar besimtarët myslimanë për Kurban Bajramin, ndërsa i ka dërguar një tjetër mesazh politikës që të ngrihet mbi interesat personale dhe të ulet në dialog për të mirën e kombit dhe shoqërisë.

“Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë! Gëzuar Festën e Kurban Bajramit! Në këtë ditë të shenjtë, feste e bashkimi, kur ne ndajmë begatinë tonë me njerëzit në nevojë dhe solidarizohemi me ta, ju uroj nga zemra sa më shumë mirësi, mirëkuptim e dashuri në familjet tuaja dhe mes njëri-tjetrit!

Kjo festë që vërteton harmoninë e bashkëjetesën tonë fetare, uroj të na nxitë për më shumë tolerancë, dialog gjithpërfshirës dhe bashkëpunim, në mënyrë që të gjithë së bashku të ndërtojmë një të ardhme më të mirë e të begatë për brezat e rinj dhe një Shqipëri si gjithë Europa!

Dita simbol e sakrificës sublime në emër të vlerave më të mira njerëzore e hyjnore, na fton të ngrihemi mbi interesat personale, për të menduar më shumë për interesin e përbashkët kombëtar, për të shëruar njëherë e përgjithmonë plagët e thella të shoqërisë sonë,

varfërinë, korrupsionin, polarizimin e tejskajshëm, arrogancën dhe padrejtësinë, për t’u përkujdesur e shtuar vëmendjen për fëmijët jetimë, të moshuarit, të vetmuarit dhe për të gjithë ata që luftojnë me vështirësi dhe me sëmundje.

Të bashkuar rreth vlerave më të mira njerëzore, hyjnore e kombëtare, rreth familjes e kombit ne do t’ia dalim, pavarësisht kostove e sfidave që kërkohen! Nga mot Gëzuar Kurban Bajramin!” shkruan Meta.

Artikulli paraprakME KARTA ITALIANE DREJT ANGLISË,ARRESTOHEN 4 PERSONA ME LETRA FALSE
Artikulli tjetërE FSHIHNIN KOKAINËN NË GROPAT E ULLINJVE, SHKATËRROHET BANDA SHQIPTARE E NARKOTIKËVE