Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka zhvilluar një bisedë telefonike më Komisionerin për Zgjerim në BE Johannes Hahn për miratimin me konsensus të reformës në drejtësi.
Kryeparlamentari Meta shprehu mirënjohje vecanërisht për komisionerin për ndërhyrjen dhe për përmbylljen me konsensus të reformës. Meta tha se pas miratimit të saj, implementimi i saj është më i sigurt. “Pas miratimit të saj me konsensus, implementimi i saj është më i sigurt, por edhe ecuria e mëtejshme e integrimit evropian është më e sigurtë dhe më e qartë”, theksoi Meta. Nga ana e rij, Hahn falenderoi Metën për përpjekjet e tij të vendosura për konsensus dhe shprehu bindjen se tashmë Shqipëria ka hyrë në një fazë të re dhe në një rrugë më të qëndrueshme drejt BE-së. Meta garantoi Hahn se do të vazhdojë përpjekjet e tij të vendosura për fillimin e zbatimit sa më parë të reformës në drejtësi. Kryetari i Kuvendit theksoi se konsensusi i arritur nuk duhet të jetë momental, por të shërbejë si shembull për forcimin e dialogut politik dhe thellimin e të gjitha reformave në të gjitha fushat.