Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj në një konferencë për shtyp ka folur me fakte dhe prova për të gjitha akuzat që presidenti Ilir Meta ka thënë kundër saj, duke e kallëzuar edhe në SPAK se po përpiqen të krijojnë një grusht shteti. Gjonaj tha se akuzat e Metës janë lajthitje që as ai vetë nuk i beson.
‘Meta me akuzat po bën një show politik presidencial me konspiracionin se po bëhet një grusht shteti’, tha Gjonaj
Gjonaj paraqiti me fakte ‘orvatjen e dëshpëruar kundër Reformës në Drejtësi të Metës’ siç ajo e cilësoi përmes 4 pikave duke sqaruar botimin e fletoren zyrtare, pse ndodhi ditën e shtunë apo akuzat se Presidentit i janë marrë të drejtat kushtetuese për emërimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
‘Së pari: Presidenti artikulon pa pushim për të drejtën e tij për të pezulluar numërimin e ditëve të afatit qe i jep ligji kushtetues, për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Pezullimi i një afati prekluziv që as nuk pezullohet dhe as ndryshohet nga institucioni që duhet të veprojë sipas afatit, është një koncept që faktikisht nuk ekziston në asnjë praktikë kushtetuese. Pra juridikisht mund të konsiderohet nonsens dhe logjikisht më së paku një lajthitje ligjore.
Së dyti: parashikimet ligjore dhe kushtetuese për përzgjedhjen e anëtarit të GJK nga Presidenti janë shumë të qartë. Sipas parashikimeve të ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Presidenti ushtron të drejtën e zgjedhjes së gjyqtarit kushtetues brenda 30 ditëve nga marrja e listës prej Këshillit të Emërimeve ne Drejtësi.
Presidenti e ushtron të këtë të drejtë në dy forma, a) ose nëpërmjet dekretit ose b) në mënyrë të heshtur, duke pranuar që kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të konsiderohet i emëruar.
Qëllimi i vendosjes së këtij afati apo mekanizmi zhbllokues ka qenë pikërisht shmangia e bllokimit të zgjedhjes së anëtarit të gjykatësit kushtetues për shkaqe politike apo teknike. Kjo ishte edhe një nga risitë e reformës në drejtësi e përkrahur edhe nga Komisioni I Venecias.
Por çfarë ndodhi? Afati 30 ditor i Presidentit për të zgjedhur anëtarin e Gjykatës Kushtetuese përfundoi dhe Presidenti nuk e shfrytëzoi kohen 30 ditore.
Theksoj se ky është një afat prekluziv, pra i pandryshueshëm dhe i pa-pezullueshëm, për shkak se vetëligji e ka lidhur kalimin e këtij afati me ardhjen e një pasoje. Pra, me kalimin e këtij afati, bëhet automatik emërimi si anëtar i Gjykatës Kushtetuese i kandidatit që është renditur i pari.
Për këtë shkak, Arta Vorpsi, që ishte renditur e para nga KED si institucion I pavarur, konsiderohet e zgjedhur gjyqtare Kushtetuese automatikisht nga ligji me datë 08.11.2019.
Së treti:Presidenti paraqet pa pushim një rrëfim me natyrë policeske, lidhur me botimin në Fletoren Zyrtare të zgjedhjes së zonjës Arta Vorpsi. Bërthama e rrëfimit është thjeshtë dita e shtunë.
Pra fakti se botimi në Fletoren Zyrtare është bërë të shtunën, i ka mjaftuar zotit President të dal në konkluzionin se jemi përpara një konspiracioni armiqësor, përmes të cilit synohet një grusht shteti.
Sinqerisht e kam shumë të vështirë të besoj se Presidenti i Republikës e beson vetë këtë version kaq ekstremist për imagjinatën e çdo njeriu normal, të një konspiracioni me finalitetin e një grushti shteti, i cili provohet me argumentin se ditën e shtunë, grupi armiqësor në Ministrinë e Drejtësisë është vënë në lëvizje duke synuar të përfitojë nga fakti se shteti është pushim.
Sikur Presidenti të kishte bërë një kërkim krejt sipërfaqësor nëarkivë, do të kishte mësuar se jo vetëm e shtuna po edhe e diela, janë ditë që figurojnë më parë në Fletoren Zyrtare.
Së katërti: Si qëndron konkretisht fakti i Botimit në Fletoren Zyrtare i vendimit të KED-se për anëtarin e zgjedhur ex lege? Presidenti deklaron se grupi I strukturuar I Ministrisë së drejtësisë, ka shkelur ligjin se ka botuar në FZ një vendim që s’kishte kompetenca për ta botuar.
Por në fakt është krejt e kundërta: Pas informacionit që KED i ka dërguar Kuvendit, ky i fundit i ka përcjellë Ministrisë së Drejtësisë informacionin mbi praktikën e ndjekur nga KED dhe faktin që afati 30 ditor i emërimit të anëtarit të gjykatës Kushtetuese nga Presidenti kishte përfunduar dhe për këtë shkak kandidati i renditur i pari në bazë të vendimit të KED-së, konsiderohej i emëruar automatikisht.
Për sa kohë që është një anëtar I emëruar nga ligji, Ministria e Drejtësisë i dërgoi Qendrës së Botimeve Zyrtare për publikim vendimin e KED për renditjen e kandidatëve’, shprehet Gjonaj.