Një nga arsyet e Presidentit Meta për mosdekretimin e Gent Cakaj si Ministër i Jashtëm, ishte dyshimi se ai është pajisur me certifikatë sigurie nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar duke shkelur ligjin.

Për këtë, Kreu i Shtetit i kërkon Kuvendit të ngrejë një Komision hetimor parlamentar për të verifikuar këtë procedurë. Po ashtu edhe Lulzim Basha u shpreh se opozita do të kërkojë hetim parlamentar për Kryeministrin dhe institucioent e përfshira në këtë rast.

Jo vetëm refuzoi të dekretojë një Ministër të Jashtëm, por presidenti Ilir Meta kërkon t’i shkojë deri në fund dyshimit të tij se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka shkelur ligjin.

Nëpërmjet një letre, Kreu i Shtetit i kërkon kryetarit të Kuvendit dhe krerëve të grupeve parlamentare të nisin një hetim administrativ për të parë sesi brenda një dite, DSIK ka kryer të gjitha verifikimet për Gent Cakajn dhe e ka pajisur me të gjitha certifikatat e sigurisë.

Këtë fakt, Presidenti e mbështet në korrespondencat që ka patur me Ministrinë e Jashtme dhe me vetë Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.

“MEPJ konfirmon se ky institucion e ka përcjellë menjëherë më 03.01.2019 e Gent Cakaj pranë Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe kjo e fundit, e ka pajisur atë me certifikatat përkatëse të sigurisë 1 (një ditë) më pas më datë 04.01.2019.

Në formën si është kryer procesi i verifikimit të sigurisë për z. Gent Cakaj, ai nuk garanton besueshmërinë e duhur të Certifikatave të Sigurisë të lëshuara nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar”.

Një proces verifikimi brenda 24 orëve për Presidentin krijon dyshime të rënda për veprimtarinë aspak objektive të DSIK, sidomos kur verifikimi duhej të shtrihej edhe në organizatat partnere të Kosovës.

Prandaj thirrja e Metës shkon edhe për secilin deputet të Kuvendit që të ngrihet një komision hetimor dhe të hetohet ky proces.

“Presidenti i Republikës, i kërkon deputetëve të Kuvendit të Shqiëprisë, të vlerësojnë këto konstatime, me qëllim ngritjen sipas ligjit, të një Komisioni Hetimor Parlamentar për hëtimin e veprimtarisë së DSIK mbi procesin e pajisjeve me certifikatat e sigurisë për shtetasin Gent Cakaj, me detyrë zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme”.

Në të njëjtën frekuencë ka qenë edhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha, i cili u shpreh se do të kërkojë hetim parlamentar, jo vetëm për DSIK, por edhe për Kryeministrin dhe të gjitha institucionet e përfshira në këtë rast.

Ngritja e Komisionit hetimor në Kuvend mundësohet pas kërkesës së1/5 së deputetëve ose 28 deputetë.

Proces te dyshimte verifikimi – Z. Gent Cakaj mban dy shtetësi, ai është shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe shtetas i Republikës së Shqipërisë.

Ai ka kryer studime jashtë territorit të dy vendeve (Shqipëri-Kosovë), respektivisht në shtetet Hungari dhe Belgjikë, vende këto ku ka jetuar për një kohë relativisht të gjatë.

“Referuar këtyre të dhënave, si dhe atyre që kërkohen dhe pasqyrohen të detyrueshme për deklarim në pyetësorin e sigurisë në aplikim, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar kishte për detyrë në bazë të ligjit nr. 8457, datë 11.2.1999, “Për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror””, të ndryshuar, dhe pikës 13, 14 të VKM nr. 188, datë 04.03.2015.

“Për miratimin e rregullave për sigurimin e personelit”, të kryejë një verifikim të thelluar të të gjithë informacionit të grumbulluar, jo vetëm në institucionet respektive të Republikës së Shqipërisë.

Në zbatim të nenit 21 të Rregullores së Sigurisë miratuar me VKM nr.188/2015, në rastin konkret ky verifikim do të duhej të kryhej edhe në organizatat partnere të Republikës së Kosovës.

Konkretisht në këtë nen citohet se: “Përpara se të lëshohet CSP për një person i cili mban dy shtetësi, DSIK-ja bashkëpunon me autoritetet homologe për kryerjen e verifikimeve përkatëse”.

Gjithashtu në detyrën si zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, dhe si kandidaturë e propozuar nga Kryeministri për pozicionin e ministrit të MEPJ-së, ky verifikim do të duhej të kryhej edhe në Belgjikë dhe Hungari, vende këto ku ka jetuar për një kohë relativisht të gjatë z. Gent Cakaj.

Referuar fakteve dhe të dhënave të z. Gent Cakaj, konstatohet qartë se nuk është kryer një proces i mirëfilltë verifikimi sipas kushteve, detyrimeve, kritereve dhe procedurës së parashikuar në Rregulloren e Sigurimit të Personelit, miratuar me VKM nr. 188, datë 04.03.2015.

Një proces verifikimi i realizuar në më pak se 24 orë krijon dyshime të rënda për veprimtarinë aspak objektive dhe në kundërshtim me ligjin nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, i ndryshuar, VKM nr. 188, datë 04.03.2015 “Për miratimin e rregullores për sigurimin e personelit”,

VKM nr.836, datë 14.10.2015 “Për miratimin e rregullores për punën me informacionin e klasifikuar të NATO-s dhe Bashkimit Evropian” dhe akteve nënligjore në zbatim të tyre, të nxjerra nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.”

Pse duhet te hetoje parlamenti- Në letrën drejtuar dhe kryetareve te grupeve parlamentare argumentohet dhe arsyeja perse ky hetim i plote administrativ duhet te kryhet pa tjeter nga parlamenti.

“Duke qenë se nga ky proces shqyrtues i Presidentit të Republikës, janë evidentuar shkelje të rënda në veprimtarinë e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Presidenti i Republikës, vlerëson të domosdoshme kryerjen e një hetimi të plotë administrativ mbi veprimtarinë e këtij institucioni mbi këtë rast.

Nisur nga fakti që Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar është një institucion në varësi të drejtpërdrejtë të Kryeministrit, është e qartë se procesi i hetimit administrativ nuk mund të kryhet nga organe të tjera në varësi të Kryeministrit,

pasi krijohet një situatë e pastër e konfliktit të interesit, gjë e cila mund të cenojë objektivitetin dhe cilësinë e hetimit të këtij rasti, Presidenti i Republikës, vlerëson se, për rastin konkret, Kuvendi i Shqipërisë mund të realizojë objektivisht këtë proces hetimor.”

Artikulli paraprakSHPALLET FITUESI PËR AEROPORTIN E KUKËSIT, INVESTIMI PRIVAT 8 MLN EURO
Artikulli tjetërSHTATZËNA 41-VJEÇARE TRANSPORTOHET ME HELIKOPTER, LIND FËMIJËN E TETË