Presidenti Ilir Meta ka kujtuar 76-vjetorin e ‘Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit’. Përmes një postimi në Facebook, ai shkruan se Shqipëria është i vetmi vend ku nuk humbi jetën asnjë hebre. Ai gjithashtu thotë se të gjithë vendet e tjera duhet të marrin shembull nga vendi ynë.
Postimi i plotë i Ilir Metës:
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës, u bashkohem lutjeve për miliona viktima të pafajshme të mizorisë së Holokaustit dhe për të gjithë ata, të cilët i mbijetuan tragjedisë më të tmerrshme njerëzore të kohërave tona dhe janë sot dëshmitarë të gjallë të saj, për të na inkurajuar, që të mos lejojmë KURRË MË të tilla gjenocide e akte çnjerëzore.
Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë, ku nuk humbi jetën asnjë hebre dhe askush prej tyre nuk iu dorëzua pushtuesve nazistë, duke dalë nga ajo periudhë e errët, me një popullsi hebraike më të madhe në numër nga ç’kishte para fillimit të Luftës.
Ndihemi jashtëzakonisht krenarë dhe e gjithë bota duhet të ndjekë shembullin frymëzues shqiptar dhe Kodin tonë të nderit e të mikpritjes BESA!
I lumtur, që sot Shqipëria dhe Izraeli ndajnë të njëjtat vlera të paqes, lirisë dhe demokracisë dhe janë bashkërisht të angazhuara në luftën ndaj terrorizmit dhe antisemitizmit, për promovimin e tolerancës, bashkëjetesës dhe përkujtimit të Holokaustit.