Presidenti i Republikës Ilir Meta, ndodhet në Itali në një vizitë zyrtare. Presidenca njofton se ditën e djeshme, Meta ka marrë një çmim nga
fondacioni Foedus me motivacionin për promovimin dhe forcimin e marrëdhënieve miqësore mes Shqipërisë dhe Italisë. Çmimi është “Politikani ndërkombëtar i vitit 2018”.
Metës iu dha çmimi në një ceremoni gala që u mbajt në Romë, ndërkohë që vetë presidenti tha se cmimi është një simbolikë për të gjithë shqiptarët dhe italianët që jetojnë dhe bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.
“Ky çmim u shkon mijra shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Itali. Ky çmim u shkon arbëreshëve tanë të dashur të cilit lidhin dy popujt tanë në mënyrë unike prej 500 vjetësh, por edhe mijra italianëve që punojnë dhe jetojnë në Shqipëri prej vitesh.
Edicioni i 18-të i Fondacionit Tuaj titullohet “Një dhuratë për një buzëqeshje” ndaj dhe unë duke ju falënderuar për vlerësimin dua T’ju kujtoj thënien e një shqiptareje të madhe, Shën Nënë Tereza, e cila ka thënë se paqja fillon me një buzëqeshje.”