Meta: Në Greqi ngritja çështjen çame. Të tjerat janë spekulime
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, duke iu përgjigjur atyre që i ka quajtur “keqinformime dhe spekulime”, ka deklaruar se vizita e tij në Greqi ka qenë pozitive. “Ky delegacion dhe unë si kryetar i tij kemi bërë më së miri detyrën që parashikon politika e jashtme e Shqipërisë”, ka thënë Meta. Duke vënë në dukje se, vizita në Greqi ndodhi në një moment jo shumë pozitiv sa i takon atmosferës, Meta ka mohuar që qëndrimi i shprehur prej tij gjatë qëndrimit në Athinë ka qenë i kundërt me atë të ministrit të Jashtëm. “Kjo ka qenë një spekulim, por deklarata ime për gazetaren greke për cështjen came ka qenë shumë e qartë: kemi qasje të ndryshme”, ka theksuar Meta. Meta ka hedhur poshtë edhe zërat se gjatë qëndrimit në shtetin helen nuk ka ngritur çështjen çame. “Unë thash se plagët që kanë dy vendet duhet t’i mjekojmë me maturi dhe qetësi, që të mos na dhembin dhe që të mos krijojmë plagë të reja. Jo vetëm kaq, por jam shprehur se çështja çame është më e rënda mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe si e tillë kërkon një klimë ku duhet të punojmë të gjithë në mënyrë konstruktive”, ka thënë Meta. Ai ka nënvizuar se ka trajtuar edhe çështjen e ligjit të luftës dhe të tjera gjatë kësaj vizite. “Ligji i luftës është akoma në fuqi dhe kjo çështje, por edhe të tjera, janë ngritur në mënyrë zyrtare në çdo takim e bisedë dhe ka vullnet për të reaguar”, ka thënë Meta, duke paralajmëruar se, qeveritë e ardhshme në Greqi mund të mos jenë kaq të gatshme sa ajo aktuale për të zgjidhur problemet dypalëshe. “Qeveria aktuale ka vullnet dhe mbështet integrimin e Shqipërisë në BE. Ndaj, marrëdhëniet me fqinjët duhet t’i trajtojmë me shumë përgjegjshmëri”, ka thënë Meta. Në këtë drejtim, ai ka cituar deklaratën e bërë sot nga kryetarja e Parlamentit italian në Tiranë, Laura Boldrini, se: “Europa ka nevojë për Shqipërinë si një partnere e rëndësishme e një rajoni që përshkohet nga tensione të rrezikshme dhe pështjellime nacionaliste”.