Ndërsa ministri i Jashtëm zgjidhi të mos bëhej pjesë, Presidenti i Republikës, jo vetëm që u bë pjesë e samitit të vendeve të Evropës Juglindore, por ka ngritur zërin duke i kërkuar të gjitha vendeve të bënin sa duhej që Kosova të ishte pjesë e këtij Samiti.

Para pjesëmarrësve kreu i shtetit shqiptar u shpreh i keqardhur që një vend si Kosova nuk trajtohet me respekt.

Meta: Dua të shpreh keqardhjen për faktin se Republika e Kosovës, Kryesuesja jonë e ardhshëm, u detyrua të mos marrë pjesë në këtë Samit. Tani është koha e duhur që jo vetëm Bosnja dhe Hercegovina, që duhet të kishte bërë të gjitha përpjekjet për të garantuar pjesëmarrjen e Kosovës në këtë Samit, por edhe çdo vend tjetër të bëjë përpara në drejtim të njohjes dhe pranimit të këtij realiteti.

Republika e Kosovës është shtet i pavarur e sovran dhe duhet të trajtohet me respekt, para së gjithash nga vetë fqinjët e saj.

Për kreun e shtetit, thelbësor është përparimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin integrues të BE, duke u shprehur i vetëdijshëm së Shqipëria ka ende rrugë për të bërë, siç është lufta kundër korrupsionit dhe ndërtimi i shtetit ligjor.

Meta: Ndonëse është e vërtetë që procesi i zgjerimit të BE-së është bërë shumë më sfidues për shkak të një numri arsyesh politike të njëkohshme, na duhet të pranojmë se qasja aktuale, e bazuar në kushtëzimin strikt, mbetet një qasje e drejtë.

Shqipëria është e vetëdijshme se ka ende një punë të vështirë për të bërë që të përmbushë kriteret dhe standardet e nevojshme. Ne duhet të japim rezultate të prekshme, duke u përqendruar në reformat që forcojnë institucionet shtetërore, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit si dhe krimit të organizuar.

Nga ky samit, presidenti shqiptar ngriti si shqetësim eksodin e të rinjve të arsimuar si një kërcënim për stabilitetin.

Meta: Eksodi i një numri të madh të rinjsh të arsimuar e të kualifikuar përbën një kërcënim të mundshëm për stabilitetin e vendeve tona. Kjo dukuri nuk perceptohet si diçka e përkohshme dhe duhet të adresohet nga çdo qeveri më vete, por edhe bashkarisht nga të gjithë aktorët relevantë në rajon.

Të dielën, ministri i Jashtëm shqiptar bëri të ditur se kishte refuzuar të ishte pjesë e samitit si formë solidarizimi me Kosovën që nuk ishte ftuar.

Apeli i Presidentit Ilir Meta në samitin e SEECP në Bosnje për të njohur Kosovën ka sjellë edhe reagimin e kryeministres së Serbisë, Ana Branbiç.

Këtij apeli, Ana Branbiç iu përgjigj duke thënë se këto deklarata janë provokime.
Brnabiç ka thënë se korniza e SEECP nuk e njeh Republikën e Kosovës, së bashku me vendin pritës Bosnje-Hercegovinë, kështu që do të ishte mirë ta respektojmë këtë në marrëdhëniet diplomatike.

“Unë sugjeroj që të veprojmë në përputhje me kornizën e vendosur në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, me qëllim sigurimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, duke treguar respekt për njëri tjetrin, pa përdorur provokime të tilla që Meta u përpoq të përdorë”, tha Brnabiç.

Brnabiç shtoi se përveç vendit pritës, ka edhe vende të tjera të vendeve të SEECP që nuk e njohin Kosovën, si Rumania, Greqia, apo Moldavia.

Artikulli paraprakME VIZË DHE PASAPORTË FALSE DREJT KANADASË, DY TURQ KAPEN NË RINAS
Artikulli tjetërSTAR TREND – 09.07.2019