Presidenti Ilir Meta risolli edhe një herë në vëmendje kërkesën e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për dhënien e pasaportave të Republikës së Shqipërisë, shtetasve shqiptarë të Kosovës.
Në takimin që u mbajt paraditen e sotme për diplomacinë ekonomike Meta tha se kjo nuk do të ishte zgjidhje për Kosovën ndërsa shqiptarët e Shqipërisë do të rrezikonin liberalizimin e vizave.
lir Meta: “Besoj se dhe ju ndjeni atë presion që ne ndjejmë ne këtu, me dëshirën për ta tejkaluar këtë pengesë apo izolim, përmes marrjes së shtetësisë shqiptare nga qytetarët e Kosovës, gjë që nuk është zgjidhje, Jo për shkak të mungesës tonë të dëshirës por për faktin se ne vetë jemi në monitorim për çështjen e liberalizimit të vizave nga vendet e BE-së dhe të zonës Shengen. Çdo veprim emocional nuk do të zgjidhte problemin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve të Kosovës por do të bllokonte lëvizjen e lirë të qytetarëve të Shqipërisë.
Ndërsa në një plan më afatgjatë kjo nuk do të thoshte asgjë për marrëdhëniet e Kosovës me BE-në, përkundrazi do i vinte ato në një pozitë edhe më të vështirë. Ndaj unë shpresoj që pas raundit të dytë të zgjedhjeve që po bëhen atje edhe politika e Kosovës të bëjë përpjekje më të mëdha për të kapërcyer këtë moment sepse zgjidhja e këtij problemi do ta përqëndronte akoma më mirë Kosovën në problemet më të mëdha që ajo ka për ta çuar përpara dialogun me Serbinë por mbi të gjitha do t’i jepte fund një frustrimi të jashtëzakonshëm që me të drejtë e kanë qytetarët e Kosovës, si të vetmit në rajon që po përjetojnë një izolim të padrejtë e të pamerituar.”