Meta: ‘Ok’ koalicionit me PS por duhet qeveri e “besimit”

Lëvizja Socialiste për Integrim është gati të firmosë koalicionin me Partinë Socialiste. Kështu u shpreh kryetari i LSI, Ilir Meta, gjatë një deklarate për mediat, pas mbledhjes së kryesisë së LSI, por shtoi se Rama ka detyrimin të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Lidhur me çështjen e koalicionit, m.q.s ka kaluar afati i 1 prillit, LSI është e hapur të afirmoj për zgjedhjet e ardhshme koalicionin me PS, bazuar në arritjet e deritanishme të koalicionit aktual dhe të reflektimit serioz të mënyrës së funksionimit dhe analizës së objektivave të parealizuara ende. Nëse lideri i PS nuk garanton zgjedhje të lira dhe dhënien e të gjitha garancive të mundshme për opozitën që të jetë e procesit zgjedhor, LSI nuk mund të jetë pjesë e një koalicioni të tillë dhe as një farse elektorale. LSI mes të majtës dhe të djathtës, zgjedh të majtën. Mes zgjedhjeve demokratike dhe farsës, zgjedh zgjedhjet demokratike. Mes demokracisë dhe diktaturës, zgjedh demokracinë”, u shpreh Meta. I pyetur për termin “qeveri e besimit”, të cilën e përmendi Meta, kreu i LSI-së tha se edhe qeveria aktuale është e tillë nëse garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme në 18 qershor. “Edhe kjo qeveri kështui siç është është qeveri e besimit nëse merr garancitë e duhura për të realizuar ato objektiva që përmenda më parë, që administrata të mos jetë në presion për të mbledhur vota, në mënyrë jo demokratike dhe të parregullt, policia e shtetit të jetë asnjëanëse, të luftojë fenomenin e drogës, krimit të organizuar dhe rrezikut të financimit kriminal të zgjedhjeve, të blerjes së votave dhe të gjitha garancitë e tjera që duhen në një vend demokratik. Ne si LSI vemë në dispozicion të gjitha mandatet tona”, tha Meta.

Artikulli paraprakSTAR SPORT – 03.04.2017
Artikulli tjetërTONIGHT – 04.04.2017