Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti dhe bashkëbisedoi me një delegacion të Senatit të SHBA-së, të kryesuar nga Senatori Roy Blunt, të cilët po zhvillojnë një vizitë pune faktmbledhëse në disa vende të Ballkanit Perëndimor.
Në një njoftim për shtyp nga zyra e Kreut të Shtetit, thuhet se Meta dhe senatorët amerikanë vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së, kontributin e Shqipërisë në NATO dhe rolin e saj stabilizues në rajon.Bashkëbiseduesit vlerësuan vizitën në Malin e Zi të Zëvendëspresidentit të SHBA-së, Mike Pence dhe mesazhet e tij të qarta mbi çështje të sigurisë rajonale, ato të koordinimit të veprimeve në kuadër të luftës globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Nga ana e tij në njoftim thuhet se Presidenti Meta nënvizoi se siguria është baza e prosperitetit dhe zhvillimit të rajonit tonë, ndaj bashkëpunimi kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar me SHBA-në dhe NATO-n është vendimtar për të ardhmen e sigurt të vendeve tona dhe qytetarëve tanë.