Pas shkarkimit nga Vettingu të Altina Xhoxhajt si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, puna në këtë institucion është në paralizë të plotë.
Duke marrë shkasë nga largimi i Xhoxhajt, Presidenti Ilir Meta ka shpallur vakancën e plotë. Presidenti fton çdo person të interesuar dhe që plotëson kushtet, duke paraqitur edhe kushtet përkatëse.
– Kërkesën për shprehjen e interesit për të kandiduar për vendin vakant të shpallur;
– Jetëshkrimin, me të dhënat e plota të kontaktit (adresë, numër telefoni/e-mail);
– Fotokopje të kartës së identitetit;
– Dokumentacionin shoqërues nëpërmjet të cilit vërteton përmbushjen e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenin 7/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
– Formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe nënshkruar sipas përcaktimeve të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Formulari i vetëdeklarimit, është i publikuar në faqen kryesore të Institucionit të Presidentit të Republikës.
– Formularin e aplikimit të plotësuar “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, në përputhje me parashikimet ligjore të nenit 29, të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, formular ky i cili është i publikuar në faqen kryesore të Institucionit të Presidentit të Republikës.
– Listën e dokumentacionit që dorëzohet bashkëlidhur kërkesës të nënshkruar nga aplikanti.
Për lehtësinë e të gjithë aplikantëve, me qëllim plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm, më poshtë gjeni të botuar përmbajtjen e nenit 125, pika 4 e 5 të Kushtetutës dhe nenit 7/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar,
ku parashikohen kushtet dhe kriteret për emërimin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese,
Kriteret dhe kushtet e emërimit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese
1. Gjyqtari i Gjykatës Kushtuese mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte:
a) të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
b) të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë;
c) të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit;
ç) të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale;
d) të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
dh) të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.
2. Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, duhet të plotësojë edhe këto kritere:
a) të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike;
b) të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës;
c) të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.
3. Plotësimi i kritereve të mësipërme vlerësohet në bazë të:
a) vjetërsisë në profesion;
b) përvojës së veçantë të kandidatit në një fushë të caktuar të së drejtës, ose këshilltar ligjor i Gjykatës Kushtetuese a Gjykatës së Lartë;
c) kualifikimeve pasuniversitare dhe trajnimeve në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në një fushë tjetër të së drejtës;
ç) treguesve shkencorë, ku përfshihen botimet dhe artikujt shkencorë në fushën juridike;
d) ecurisë gjatë kryerjes së arsimit të lartë juridik, me një mesatare notash jo më pak se 8 ose të barasvlershme me të, nëse arsimi i lartë është përfunduar jashtë vendit ose vlerësimit përfundimtar në Shkollën e Magjistraturës;
dh) informacioneve të marra nga institucione të tjera publike.
4. Organet e emërtesës marrin parasysh përbërjen e Gjykatës Kushtetuese në momentin e emërimit të kandidatit për të garantuar balancën ndërmjet përvojave profesionale të anëtarëve dhe respektimin e barazisë gjinore.
Kërkesa dhe dokumentet shoqëruese mund të dorëzohen me postë ose drejtpërsëdrejti në ambientet e Presidencës, në adresën: Institucioni i Presidentit të Republikës, Blv. “Dëshmorët e Kombit”, Nr. 1 Tiranë, Kodi Postar 1001.
Afati i paraqitjes së kërkesës me dokumentacionin e nevojshëm, është brenda datës 25 mars 2019.
Pas administrimit të dokumentacionit, lista e aplikantëve do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të institucionit të Presidentit të Republikës dhe me mjetet e informimit publik, si dhe menjëherë dosjet respektive për secilin aplikant do t’i përcillen Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) për vlerësim sipas ligjit.
Institucioni i Presidentit të Republikës, do të bëjë transparent çdo rezultat të këtij procesi në përputhje me Kushtetutën dhe procedurën e parashikuar në nenin 7/b, të ligjit nr. 8577 datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.