Presidenti Ilir Meta ka pranuar kërkesën e Gjykatës Kushtetuese për të shpallur vakancën në Kushtetuese, pas shkarkimit të gjyqtarit Besnik Muçi, duke njohur kështu vendimin e Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Meta deklaron se do nisë menjëherë aplikimi për emërim gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese të krijuar nga përfundimi para kohe të mandatit, të ish-gjyqtarit Muçi.
“Dekretoj shpalljen e procedurës së aplikimit për emërim gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, për plotësimin e Vakancës së parakohshme të krijuar nga përfundimi para kohe të mandatit, të ish-gjyqtarit Besnik Muçi.
Shpallja e kësaj procedure dhe publikimi i saj sipas tekstit bashkëlidhur, të bëhet menjëherë në mjetet e informimit publik dhe në faqen zyrtare të institucionit të Presidentit të Republikës”, thuhet në dekretin e presidentit Meta.
Gjykata Kushtetuese hoqi nga faqja zyrtare Besnik Muçin dhe njoftoi Presidentin e Republikës për vakancën e krijuar.
Muçi u shpreh sot në mëngjes se nuk e njeh vendimin dhe u paraqit në zyrë me një kërkesë drejtuar Kushtetueses që të shqyrtojë dhe vendosë fatin e tij me argumentin se vendimi i vettingut është në kundërshtim me ligjin.
Muçi theksoi se do të vijojë që të qëndrojë në detyrë deri kur të japë vendimin gjykata Kushtetuese, e cila pa kaluar pak orë e fshiu nga faqja zyrtare duke ia dhënë përgjigjen.
Presidenti Meta mesditën e sotme e priti në një takim dhe i kërkoi Muçit që të rishikonte vendimin. Gjykata Kushtetuese pasi e zhduku nga lista e anëtarëve në faqen zyrtare njoftoi kreun e shtetit për vakancën e krijuar.
Vendimin e shkarkimit të Besnik Muçit nga Gjykata Kushtetuese, në një reagim tè bërë një ditë më parë Ilir Meta nuk e cilësoi si surprizë, pasi denoncoi se ka pasur presion nga shumica.