Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta deklaroi sot në Kuçovë se shqiptarët e dinë shumë mirë se nuk është çështjes e mungesës së fondeve, rritja e pagave të pedagogëve apo mësuesve, por çështje e vjedhjes së taksave të tyre nga Edi Rama personalisht.
Meta tha se shteti është kapur nga Rilindja dhe se shqiptarët janë të neveritur nga ky sekt.
“Pedagogët po kërkojnë që pas dy vitesh t’i kenë pagat sa ç’i kanë pedagogët e Kosovës sot. Qeveria në Kosovë ka pezulluar investimet publike që t’u rrisë pagat.
Shqiptarët e dinë shumë mirë se nuk është çështjes e mungesës së fondeve, është çështjes e vjedhjes së taksave të tyre, nga Edi Rama personalisht. Vetëm për vitin që vjen 7 koncesione të reja janë planifikuar me vlerë 1 md dollarë. Rrugë të florinjta, 6 herë më shtrenjta. 1 km rrugë më shtrenjtë në Shqipëri se në Serbi që ata nuk janë as kulmi i demokracisë dhe as i transparencës. Nëse nga Serbia ikën një banor, nga Shqipëria ikin 10 sepse këtu synohet që njerëzit jo të ndihmohen, që shtresa e mesme të mos konsolidohet dhe zgjerohet, por sa më shumë njerëz të varfër.
Sa më pak oligarkë, banditë, njerëz të lidhur me Edi Ramën të pasurohen që të përdoren për të blerë votat, zgjedhjet, influencat mediatike dhe sa më shumë nga shtresa e mesme të varfërohen, të mos kërkojnë të drejtat e tyre dhe ata të cilët janë dhe më kërkues dhe nuk e durojnë dot padrejtësinë të ikin nga Shqipëria. Këtyre u duhet vetëm territori dhe mafies i duhet vetëm territori. Por ja që ne jemi patriotë brez pas brezi, kështu që Shqipëria do u kthehet shqiptarëve. Ky është misioni i PL dhe kjo është arsyeja se pse nga 25 korriku jam në krye të kësaj force politike, por edhe betejës për t’i kthyer lirinë dhe dinjitetin çdo qytetari shqiptar. Nuk jemi aspak kundër socialistëve, unë flas gjithmonë për Rilindjen, një sekt që ka uzurpuar çdo gjë”, tha Meta.
Ai vijoi më tej duke thënë se Rilindja eliminoi çdo zë kundër, kaloi në kapjen e shtetit që sot e ka100% të kapur.
“Si e kapi shtetin, këtu u tregua e mençur Rilindja, duke kapur Lulushin, mirëpo 8 vjet, 9 vjet nuk vazhdoi më ky teatër. Situata është bërë dramatike për Rilindjen, por situata është shumë më e mirë për Shqipërinë, pavarësisht se situata është e rëndë. Jemi vendi i dytë në botë për ryshfetin, falë Ramaformës, vendi i parë për korrupsionin në Europë dhe ndër të parët në botë. 26 vende ka rënë Shqipëria. Ku ka korrupsion më flagrant se inceneratorët. Do shtohen përsëri fondet për inceneratorët.
Ndaj shqiptarët janë të neveritur përfundimisht nga hipokrizia e rilindjes dhe janë të paduruar për ndryshim dhe për protesta sepse e di shumë mirë se ka ardhur koha e përballjes finale dhe të vërtetë. Jemi gjithashtu përpara zgjedhjeve vendore dhe duke qenë përpara zgjedhjeve vendore dua t’ju siguroj se qëllimi më madhor i PL është rivendosja e pluralizmit në të gjitha këshillat vendore, bashkitë e vendit ku sot jo vetëm për përgjegjësinë e Edi Ramës, por edhe poshtërsinë e Lulushit, opozita nuk ka sot asnjë këshilltar”, deklaroi Meta.