Meta takim të veçantë me Shefin e Shtabeve të bashkuara të SHBA
Presidenti Ilir Meta ka pritur në një takim të veçantë Shefin e Shtabeve të Bashkuara të SHBA-ve, Gjeneralin Josph Dunford, njofton zyra e shtypit të Presidencës. Sipas komunikatës për shtyp, “presidenti Meta ka vlerësuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si të një rëndësie parësore dhe strategjike dhe bashkëpunimin në kuadër të NATO-s, përballë sfidave të përbashkëta globale si lufta kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm e qëndrueshmëriae sigurisë në rajon”. “Meta i shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që SHBA i ka dhënë Forcave tonë të Armatosura në procesin e tyre të transformimit dhe modernizimit duke nënvizuar edhe ndihmën e fundit me mjete speciale transporti të blinduara.Presidenti Meta ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e SHBA në realizimin e reformave të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, transformimin dhe rritjen e kapaciteteve operacionale dhe edukimin e Forcave të Armatosura, mbështetjen e institucioneve të inteligjencës, rolin përcaktues të SHBA-së në çlirimin e Kosovës dhe angazhimin e tyre në sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë të Ballkanit dhe mbështetjen kritike për anëtarësimin në NATO”, shkruhet në deklaratën e shpërndarë për mediat. Gjatë bisedimve, Gjenerali Dunford falenderoi Presidentin Meta për angazhimin dhe kontributin e Shqipërisë dhe Forcave të saj të Armatosura përkrah ushtrisë së SHBA-së në Afganistan, Irak, dhe vende të tjera dhe vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë për ngritjen e nivelit të partneritetit dhe të koordinimit strategjik Shqipëri-SHBA, thuhet në deklaratë. Meta dhe Gjenerali Dunford kanë shkëmbyer opinionet e tyre mbi sfidat e reja të NATO-s, mbi sigurinë kolektive dhe mbështetën angazhimin e tyre për vazhdimësinë e angazhimit në përballjen me sukses të tyre, si në planin rajonal ashtu edhe në atë global, përfundon njoftimi Presidencës.