Presidenti i Republikës Ilir Meta ka replikuar ashpër me kryeministrin Edi Rama dhe ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca në vijim të deklaratave të djeshme për reformën në drejtësi. I pyetur nga mediat për deklaratat e Ramës dhe Sorecës, zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi thotë se Meta ka një qëndrim për të dy, ndërsa akuzon se po kapet sistemi i drejtësisë.

“Kam vetëm një qëndrim për të dy. Presidenti i Republikës, jo vetëm i ka bërë të gjitha përpjekjet e mundshme deri tani, në mënyrë transparente e sistematike, të dokumentuar dhe informale, konstruktive e gjithëpërfshirëse, por edhe do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje për zbatimin kushtetues të reformës në drejtësi, për të evituar vonesat,

kolapsin, zbatimin e njëanshëm e përçarës dhe kapjen e sistemit. Presidenti nuk do të lodhet edhe në të ardhmen, si detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë, të punojë në këtë frymë. Ndërkohë Presidenti nuk ndalon askënd, të këndojë “na fitorja në fitorje”, si në variantin solo, ashtu edhe në kor” deklaron zëdhënësi i Presidentit.

Kreu i shtetit kritikoi dje ashpër misionin ‘Euralius’ në Shqipëri për zbatimin e reformës në drejtësi. Meta tha se kjo nuk është drejtësi europiane, dhe nuk do ta luftojë krimin dhe korrupsioni.

Kryeministri Rama reagoi menjëherë duke i thënë Presidentit se falë vettingut Kushtetuesja sot është një djep bosh pa shejtanin brenda, ndërsa shtroi pyetjen a e pengon kjo Presidentin që të mbrojnë datën që ka dekretuar për zgjedhjet lokale, 30 qershorin, teksa opozita paralajmëron se do të bllokojë procesin.

Ndërkohë që ambasadori i BE-së, Soreca duke iu përgjigjur Metës dje u shpreh se reforma në drejtësi, po zbatohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe legjislacionin kombëtar përkatës. Ai theksoi se reforma në drejtësi dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në BE duhet të jenë një prioritet për çdo politikan shqiptar, një arsye për unitet, jo përçarje, për të mirën e qytetarëve.

Artikulli paraprakKOMUNIZMI SHKAKTON DEBAT NË KUVEND/ BRAHO-TUFËS: LARGOHU NEO-FASHIST! KREU I BALLIT: BUDALLA!
Artikulli tjetërKQZ REFUZON KOMISIONERËT E PD-LSI PËR KZAZ, DEBATE NË MBLEDHJE