Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka zbardhur detaje nga takimi me shefen e misionit të vëzhguesve të ODIHR-it, Audrey Glover, në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 majit.

Në një reagim në ‘Facebook’ Meta theksoi se u diskutua gjerësisht mbi shqetësimet që lidhen me realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Mes të tjerash Meta theksoi se “ndava me të shqetësimin për shpërdorimin flagrant të fondeve financiare publike, përdorimin e administratës publike dhe infrastrukturës e logjistikës shtetërore për fushatën e partisë në pushtet, duke dhunuar Kodin Zgjedhor dhe çdo ligj tjetër.”.

MESAZHI I METËS

Sot prita në një takim shefen e misionit të vëzhguesve të ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit, Ambasadoren znj. Audrey Glover.

Diskutuam gjerësisht shqetësimet e shumta që lidhen me realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për pushtetin lokal në 14 maj.

Ndava me znj. Glover shqetësimin lidhur me listat e zgjedhësve dhe qëndrimet e Ministrisë së Brendshme dhe KQZ-së, të cilat kanë krijuar problematika lidhur me ndryshimin e qëllimshëm të tyre për të krijuar paqartësi tek zgjedhësit, duke shkelur ligjin dhe praktikën e konsoliduar 20 vjeçare për to.

Gjithashtu ndava me të shqetësimin për shpërdorimin flagrant të fondeve financiare publike, përdorimin e administratës publike dhe infrastrukturës e logjistikës shtetërore për fushatën e partisë në pushtet, duke dhunuar Kodin Zgjedhor dhe çdo ligj tjetër.

Nënvizova qëndrimin e njëanshëm të KQZ-së, e cila me vendimet dhe qëndrimet e saj nuk po kontribuon për mbajtjen e zgjedhjeve me standarde, por përkundrazi po dëmton standardet dhe po krijon tensione dhe konflikte të panevojshme që kanë ndikim në ecurinë para dhe pas zgjedhore.

Vura në dukje edhe shqetësimin për mosndëshkimin e veprimtarive të paligjshme të qeverisë dhe mosmarrjen parasysh edhe të mjaft shqetësimeve të ngritura nga shoqëria civile.

Gjithashtu ndava me znj. Glover edhe problemin e kapjes së medias nga qeveria, gjë që është në kundërshtim me interesin e zgjedhësve, të cilët janë shumë të interesuar dhe duan të njihen gjerësisht me kandidatët dhe programet e tyre për të bërë zgjedhjen e duhur ditën e votimit.

I shpreha Ambasadores Glover gatishmërinë e plotë të opozitës për të kontribuar për një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe për realizimin e standardeve sa më të larta në zgjedhje.

Artikulli paraprakDOSHI NË FUSHË ARRËZ: FITORJA PËR FRAN TUCIN E SIGURTË
Artikulli tjetërBECI VIJON TAKIMET: DO PUNOJ ME JU QË T’JU KRIJOJ NJË MUNDËSI