Vijimi i reformave të financave publike dhe konsolidimi i mëtejshëm fiskal ishin disa nga çështjet e diskutuara në takimin që ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete zhvilloi me përfaqësuesin e përhershëm të FMN-së për Ballkanin Perëndimor, Sebastian Sosa. Në takim u vlerësua bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe FMN-së dhe mbështetja që ky institucion ka dhënë e vijon të japë për vendin tonë në drejtim të forcimit të financave publike dhe reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare.
Diskutimi mes palëve u përqendrua në zhvillimet më të fundit ekonomike dhe pritshmëritë për situatën makroekonomike dhe fiskale. Ministri i Financave konfirmoi angazhimin për të vijuar konsolidimin fiskal dhe zbatimin e reformave të mëtejshme. Në takim u vlerësua ecuria e reformave të financave publike, përfshirë edhe adresimi i sfidave të reja për ekonominë e gjelbër.
Përfaqësuesi i përhershëm Rajonal i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Sebastian Sosa shprehu angazhimin për të vijuar bashkëpunimin dhe mbështetjen për institucionet shqiptare.