Më shumë se 5000 qytetarë të Kosovës, sipas të dhënave zyrtare, kanë hequr dorë nga nënshtetësia kosovare vetëm në vitin 2019. Kjo shifër po konsiderohet shqetësuese, pasi nënkupton faktin se këta persona nuk e shohin Kosovën më si shtet të tyre.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, qytetarët e Kosovës të cilët kanë hequr dorë nga nënshtetësia dhe kanë zgjedhur një nga shtetet e Bashkimit Evropian për të marrë shtetësinë e re, janë detyruar të ndërmarrin këtë veprim ngase disa shtete nuk e lejojnë dyshtetësinë.
“Gjate periudhës janar-dhjetor 2019, në Divizionin e Shtetësisë janë marrë 5461 vendime për lirim nga shtetësia. Prej tyre 5394 janë vendime pozitive, 67 vendime negative. Nënshtetësitë që marrin më së shumti qytetarët e Kosovës, janë nënshtetësia gjermane, austriake, sllovene e të tjera”, thuhet në të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.
Sipas të dhënave, mesatarisht në vit nga nënshtetësia e Kosovës janë liruar më shumë se 5,000 mijë qytetarë. Trendi i heqjes dorë nga nënshtetësia ka shënuar ngritje nga viti 2014.