Milani e ka nisur fazën e dytë në mënyrën e duhur. Kuqezinjtë kanë mundur 2-0 Fiorentina-n e Paulo Sousas, që ka fituar me të njëjtin rezultat në Firence në takimin e fazës së parë.
Carlos Bacca, 9 gola në këtë kampionat, ka qenë përsëri protagonist, duke zhbllokuar takimin, ndërsa Kevin Prince Boateng ka siguruar tri pikë shumë të rëndësishme për ekipin e Mihajlovic në fundin e ndeshjes. Pas kësaj fitoreje Milan ka shkuar në vendin e 6-të në renditje në kuotën e 32 pikëve, ndërsa Fiorentina është në vendin e katërt me 38 pikë. Një gjuajtje në portë i ka mjaftuar kuqezinjve në pjesën e parë për të zhbllokuar ndeshjen dhe për të kaluar në avantazh. Një pasim i saktë nga Boanventura është shfrytëzuar në mënyrën më të mirë nga kolumbiani Carlos Bacca, i cili pasi ka shmngur një mbrojtës të Fiorentinës, ka mposhtur portierin Tatarusanu me një goditje të saktë me të djathtën në shtyllën e dytë. Vjollcët kanë dominuar në zotërimin e topit, por pa qenë asnjëherë të rrezikshëm.