Deputetja e Shkodrës, Mimoza Hafizi shprehet kundër referendumit të propozuar nga kryeministri Edi Rama në lidhje me zgjedhjet brenda partisë.

Sipas saj, Statuti i Partisë Socialiste e ka prej 10 vitesh parimit një anëtar një votë, por që nuk zbatohet. Ajo shprehet se ofrohet një referendum, ndërkohë që nuk bëhen zgjedhjet, duke sqaruar gjithashtu edhe arsyet se kur mund të bëhet një referendum. Hafizi: Referendumi është proces që zhvillohet për problemet që prekin parimet programore dhe statutore. Pra, referendumi është thirrja për votë e lidhur me një problem, kurse zgjedhja për funksionet përfaqësuese të partisë është votë e kërkuar për një njeri. Një njeri që fiton përmes një gare së paku mes dy kandidatësh. Ballë për ballë, me argumente. Ne po kërkojmë në krye të partisë një njeri, jo një problem! Sipas saj, një referendum nuk mund të ketë fuqi prapavepruese cilido qoftë rezultati i tij, teksa shton se sot kërkohen zgjedhje për kryetarin e Partisë “për t’i dhënë fund një situate që na mban peng prej tre vitesh”. Hafizi: Referendumi, edhe pse përbën mjetin më demokratik të ushtrimit drejtpërdrejt të sovranitetit, nuk mund të përdoret për të kufizuar të drejtat themelore të njeriut. Në rastin e referendumit të propozuar në partinë tonë, me gjasa socialistëve do u kërkohet të shprehen për të hequr dorë nga e drejta që e kanë dhe që duhej ta kishin ushtruar prej 3 vitesh. Nga e drejta për të zgjedhur Kryetarin e tyre me parimin një anëtar-një votë. Si i tillë, ky referendum do ishte antikushtetues, sepse kufizon të drejtën themelore për të zgjedhur e për t’u zgjedhur, e drejtë kjo e pandashme, e patjetërsueshme dhe e padhunueshme. Ai bie ndesh me ligjin për partitë politike, ku zgjedhjet e brendshme në parti janë parim themelor i organizimit”.

Artikulli paraprakOPERATORËT TURISTIK: INSTITUCIONET HARROJNË THETHIN DHE KELMENDIN
Artikulli tjetërINVESTIMET NË RRJETIN E UJSJELLËSIT NË BASHKINË MALËSI E MADHE