Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka njoftuar kryeministrin Dimitar Kovaçevski, se ministrat dhe funksionarët e BDI-së japin dorëheqje nga postet e tyre. Ky vendim hyn në fuqi ditën kur opozita do të votojë ndryshimet kushtetuese.

“Duke vlerësuar se Maqedonia e Veriut gjendet në një fazë kritike të së ardhmes evropiane, duke vlerësuar se vendimet e mëdha kërkojnë përgjegjësi dhe sakrifica politike, kombëtare e shtetërore nga secili prej nesh dhe duke u nisur nga kushti i opozitës se do të votonin ndryshimet kushtetuese, nëse BDI-ja del nga qeveria, ministrat e BDI-së kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre, të cilat hyjnë në fuqi nëse opozita mbështet ndryshimet kushtetuese në Kuvend”, tha kryetari i BDI-së Ali Ahmeti. Zëvendëskryeministri Artan Grubi tha se në funksion të integrimit evropian BDI-ja është e gatshme që të heqë dorë nga të gjitha pikat e programit të saj që parashikonin edhe “kryeministrin e parë shqiptar” në 100 ditët e fundit të punës së qeverisë.

LSDM: Është koha që VMRO të kthjellohet

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, ka kërkuar nga VMRO-DPMNE-ja që të mbështesë ndryshimet kushtetuese, pasi sipas tij, partitë në pushtet kanë mbështetur kërkesat e këtij subjekti opozitar për një qeveri të zgjeruar, pa Bashkimin Demokratik për Integrim. Nga LSDM konsiderojnë se tashmë janë plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga kryetari i VMRO-DPMNE-së për të votuar ndryshimet kushtetuese. Hapi që bëri BDI-ja me dorëheqjet e ministrave është sinjal për Mickoskin, i cili duhet ta realizojë premtimin e dhënë publikisht.

“Është koha që Hristian Mickoski të dëshmojë nëse ka kapacitet për të qenë burrë shteti, nëse i intereson e ardhmja evropiane e vendit apo kujdeset vetëm për interesat e veta. Mickovski duhet ta shfrytëzojë rastin dhe të vendosë, të votojë për BE-në apo izolimin”, tha zëdhënësja e LSDM-së Bogdanka Kuzeska. Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Tarvari, i ka cilësuar si lojëra fëmijërore dorëheqjet e ministrave dhe të funksionarëve të BDI-së. Taravari thotë se ASH do të marrë vendime pas konsultimeve me organet e partisë, nëse do të qëndrojë në qeveri nëse VMRO-DPMNE do të votojë pro ndryshimeve kushtetuese.

“Realisht mua më duken shumë joserioze këto veprime të BDI-së duke marrë parasysh se në çfarë periudhe serioze po kalon Maqedonia e Veriut, në një periudhë shumë shumë të rëndësishme. Këto lojëra më duken shumë shumë fëmijërore”, tha Taravari.

VMRO-DPMNE: Jo doreheqje, vendi ka nevojë për zgjedhje të parakohshme

Nga VMRO-DPMNE-ja thanë se dorëheqje duhet të japin edhe ministrat e Lidhjes Social-Demokrate të Kovaçevskit dhe vendi menjëherë të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Problem nuk është vetëm BDI-ja, por dorëheqje të parevokueshme të paraqesin edhe nga LSDM-ja dhe menjëherë të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi gjithçka tjetër është humbje kohe. E kemi thënë, mirë është që BDI-ja është shprehur e gatshme të kalojë në opozitë prej nga do të përgjigjet për krimin e bërë”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Naum Stoilkovski. Nga VMRO-ja thanë se ndryshimet kushtetuese do të mbështeten vetëm nëse pranohet kushti i saj që ato të hyjnë në fuqi pas përfundimit të bisedimeve me Bashkimin Evropian, apo paralelisht me anëtarësimin në BE.

A po taktizon BDI-ja?

Vendimin e BDI-së për dorëheqjen e ministrave analisti Albert Musliu nuk e sheh si taktikë politike, por si gatishmëri për të ndihmuar procesin eurointegrues të vendit.

“Nuk shoh taktizime nga BDI-ja, por shoh lëvizje nga kjo parti për të pamundësuar pretendimet me të cilat abuzon VMRO-ja në momentet kur për ndryshimet kushtetuese duan mbështetje edhe nga deputetët e VMRO-DPMNE-së. Këtu si të vetmen lojtare joracionale shoh opozitën, pasi kërkon gjëra që nuk janë të realizueshme”, thotë Musliu.

Për analistin, Vladimir Bozhinovski, kushti kryesor i VMRO-së nuk është që të dorëhiqen ministrat e BDI-së, por hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese pas përfundimit të bisedimeve me BE-në.

“Dorëheqjet që ofrohen nuk janë dorëheqje reale, andaj konsideroj se nuk janë objekt debati pasi ato nuk kanë të bëjnë me kompromisin”, thotë Bozhinovski. Daljen nga situata e krijuar, Bozhinovski e sheh përmes mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. /DW

Artikulli paraprakGATI TË PËRBALLENI ME SFIDAT QË JU PRESIN KËTË MUAJ, ÇFARË THONË YJET PËR JU
Artikulli tjetërZJARR NË KALIVAÇ TË LEZHËS, DIGJEN 5 HA SHKURRE E VRESHTA, IZOLOHEN FLAKËT