Tirana do të presë sot, (14 Shtator), Ministerialin e Ministrave të Brendshëm, në kuadër të Procesit të Berlinit, ku pjesë e delegacionit të përfaqësuesve të shteteve evropiane është edhe Ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, i Greqisë, Yannis Oikonomou. Krahas pjesëmarrjes në Konferencën në kuadër të Procesit të Berlinit ditën e sotme, Yannis Oikonomou, më 15 shtator, pritet të vizitojnë kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin, i cili ndodhet në burg, raportojnë mediet greke.
Axhenda e Yannis Oikonomou sipas medieve greke
E enjte, 14 shtator
-10:20 Takim me Ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Z. Taulant Balla
-12:30 Takim me Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, z. Anastasio
-14:00-18:00 Konferenca Ndërministrore
Seksionet e konferencës janë si më poshtë:
-Menaxhimi i integruar i kufijve në Ballkanin Perëndimor
-Bashkëpunimi rajonal në luftën kundër krimit të organizuar
-Bashkëpunimi kibernetik në Ballkanin Perëndimor
E premte 15 shtator
-11:00 Vizitë në Burgjet e Durrësit dhe Freddy Beleri
Arrestimi i Fredi Belerit më 12 maj me akuzën e korrupsionit në zgjedhje dhe mbajtja e tij në paraburgim ka sjellë acarim në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës. Mabjtja në burg për fituesin e zgjedhjeve të 14 majit është konfirmuar edhe nga Gjykata e Lartë e cila në vendimin e datës 25 korrik 2023, të zbardhur tashmë, trupi gjykues shpreh dyshimet se Fredi Beleri mund të dëmtonte provat.
Ky fakt bazohet në zhdukjen e pajisjes ku memorizohen regjistrimet e kamerave të sigurisë në lokalin në pronësi të Fredi Belerit në Himarë ku u bë edhe pagesa e 40 mijë lekëve për votat e 8 qytetarëve më 12 maj. Në dosje thuhet Beleri dhe bashkëpunëtori i tij Kokaveshi ofronin 50 euro për votë, ndërsa ata u arrestuan duke dhënë paratë. Dy të pandehurit akuzohen për veprën penale ‘Korrupsioni aktiv në zgjedhje’ kryer në bashkëpunim. Fituesi i zgjedhjeve për Bashkinë Himarë, ka bërë 2 kërkesa për leje të veçantë që t’i mundësohet betimi si kryebashkiak, por burgjet kanë refuzuar. Ndërsa në Gjykatë të Lartë Beleri ka bërë 2 rekurse për të shpallur të paligjshëm arrestimin dhe përgjimet e prokurorisë.
Për çështjet e tij është angazhuar edhe qeveria greke e cila e quan arrestimin të paligjshëm e politik. Por Departamenti Amerikan i Shtetit u dërgoi sot një mesazh autoriteteve shqiptare në lidhje me rastin e kryebashkiakut të Himarës duke thënë se qeveria amerikane pret që çështja të ndiqet sipas legjislacionit shqiptar. Në përgjigje të një pyetjeje të korrespondentëve grekë në Uashington, një përfaqësues i DASH-it theksoi se është në dijeni të ndalimit të Fredi Belerit dhe pret që autoritetet shqiptare të ndjekin një proces të rregullt sipas ligjeve të vendit.