Ministri i Jashtëm i Greqisë, Georgos Gerapetritis, i ka dërguar sërish mesazh Shqipërisë mbi çështjen e Fredi Belerit, duke deklaruar se perspektiva e saj evropiane lidhet me respektimin e të drejtave të pakicës kombëtare greke.
Duke folur për zgjerimin e BE-së në një konferencë, Gerapetritis theksoi se Athina nuk mund të pranojë vende kandidate që nuk përmbushin kriteret e anëtarësimit dhe parimet bazë të BE-së, si demokracia dhe shteti i së drejtës, duke iu referuar Shqipërisë. Ai iu referua konkretisht rastit të kryetarit të Bashkisë së Himarës, Belerit, duke folur për sjellje dhe praktika që sipas tij tregojnë se këto parime nuk janë miratuar ende nga të gjitha vendet kandidate.
“Shqipëria duhet të dëshmojë se respekton të drejtat e pakicës kombëtare greke dhe shtetin e së drejtës”, theksoi ministri i Jashtëm.