Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, është nisur drejt Nju Jorkut ku do të marrë pjesë në takimet e nivelit të lartë në kuadër të Presidencës Shqiptare të Këshillit të Sigurimit dhe Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB.
Ditën e enjte, më datë 14 shtator, Ministri Hasani do të kryesojë Debatin e Hapur të Nivelit të Lartë mbi Nxitjen e Partneritetit Publik-Privat në trajtimin e çështjeve humanitare, nismë e Shqipërisë.
Më 20 shtator, kryediplomati shqiptar do të marrë pjesë në takimin e Nivelit të Lartë të Këshillit të Sigurimit mbi Ukrainën, i cili do të kryesohet nga Kryeministri Edi Rama.
Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme do të takohet me homologë të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit dhe do të marrë pjesë në takime me fokus Ballkanin Perëndimor, paqen dhe sigurinë etj.
Delegacioni shqiptar në OKB kryesohet nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dhe pjesë e tij janë Kryeministri Edi Rama dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Shqipëria për herë të parë në historinë e anëtarësimit të saj në OKB mban që prej janarit të vitit 2022 vendin e anëtarit jo të përhershëm të KS, mandati dyvjeçar i së cilës përfundon në dhjetor të këtij viti.